Sulmuesi egjiptian Mohamed Salah po luan sezonin e tij të katërt me fanellën e Liverpool, klub në të cilin ka fituar shumë trofe gjatë kësaj periudhe, si Ligën e Kampionëve dhe së fundi titullin kampion në Premier League.
Ndonëse ka ende edhe tre vite kontratë me “The reds”, 28-vjeçari ka pranuar se një ditë do të preferonte të vishte fanellën e Realit të Madridit apo të Barcelonës, të cilat i ka evidentuar si skuadrat më të mira.
“Nuk i dihet çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por Real Madrid dhe Barcelona janë dy nga klubet më të mira në botë dhe një ditë do të më pëlqente të luaja për to. Megjithatë për momentin jam i lumtur te Liverpool”, u shpreh egjiptiani.
Deklaratat e Salah vijnë vetëm disa ditë pasi mediat spanjolle kanë aluduar për një shkëmbim të mundshëm mes tij dhe Philipp Coutinhos, me brazilianin që nuk po përshtatet te Barcelona dhe mezi pret rikthimin në “Anfield Road”, aty ku ka kaluar vitet më të bukura të karrierës.
Nga ana tjetër edhe Salah është një emër që preferohet shumë nga trajneri Ronald Koeman, pasi egjiptiani është një njohës perfekt i skemës 4-2-3-1 që dëshiron të aplikojë trajneri katalan dhe do të përshtatej me lehtësi te Barcelona.