Nga Lorenc Vangjeli/
Natën, një qiri është më i shndritshëm sesa dielli! Kjo zbulesë e Sting-ut britanik të The Police, kur këndon për një “Englishman in New York”, nuk ka të bëjë as me policinë e Tiranës dhe as me protestat në Tiranë. Por do të ishte mirë të dëgjohej edhe në javën e luftës me semaforët në kryeqytet kur munguan qirinjtë.
Protesta për vrasjen tragjike të Klodianit nisi si përshpirtje për një jetë të këputur tërësisht pa kuptim, vazhdoi si duf kundër qeverisjes dhe revoltë urbane, por shërbeu më pas vetëm si CV për ata që kërkojnë rotacionin e pushtetit në 25 prill. Zbuloi edhe njëherë identikitin e ashpër të ofertës politike: kush vjen nëse ikën Edi Rama?
Natyrisht ka shumë pakënaqësi për tetë vitet e të majtës në pushtet. Njëherë si eksperiment me kohezionin e saj të të gjithë familjes natyrale dhe njëherë si një pjesë e vetme kundër gjithë të tjerëve së bashku. Edhe sikur kryeministri të ishte Mesia, siç besojnë jo pak nga njerëzit që e kanë për epror, do të mjaftonte terrori i tërmetit, makthi pafund i pandemisë dhe thellimi dramatik i pabarazisë sociale në vend, që turma të revoltuara dhe të frustruara të derdheshin në rrugë dhe të kërkonin ndryshim, të shtyheshin për revanshin në pushtet dhe hakmarrjen e të përzënit nga vitrina e restorantit.
Një restorant gjithmonë e më ekskluziv dhe gjithmonë e me më pak vetë brenda. Protesta, përtej pritshmërisë së një pale dhe ankthit të palës tjetër, u shua edhe pse morri si monedhë këmbimi kokën e ish-ministrit të brendshëm. Pa kuptuar se edhe në këtë rast, fitoi edhe njëherë si përherë këto vite Edi Rama. Ai ju përgjigj politikisht protestës duke e shndërruar atë në një mjet edhe për të bërë një dalje të butë jashtë nga “bashkëjetesa” problematike me ministrat e tij të brendshëm, kësaj radhe nga Sandër Lleshaj. Duke bërë fiks atë që dukej se e donte, por nuk i leverdiste ta bënte vetë si hap të parë.
Përballë tij, në mënyrë të habitshme, opozita e cila kërkon me dëshpërim frut politik nga çdo duf e shfrim urban e rural, nuk pranoi të ishte pjesë e protestës dhe ta shndërronte atë në kundërshti politike. Sepse edhe kur shtohen refuzuesit e Ramës, nuk shtohen përkrahësit e saj, edhe kur rritet pakënaqësia ndaj kryeministrit, nuk rritet numri i atyre që do të kënaqeshin nga rotacioni. Sepse edhe njëherë si përherë, mund të fotografohet me dëshpërim se çfarë shoqëria mohon me nerv ndaj Edi Ramës, nuk bëhet pohim për opozitën. Sepse, jo për paradoks, por për rregull, dhuna që dëmton muret e jashtme të kryeministrisë, forcon më shume muret e zyrës së kryeministrit.
Me një njeri orkestër si Edi Rama dhe me një grup gjithmonë e më shumë pa diferenca mes individësh, por që kanë nisur të bëjnë diferencën në terren prej muajsh, maxhoranca nuk ka asnjë shans më të madh për të fituar zgjedhjet sesa opozita përballë saj që duket se bën gjithçka mundet për të humbur.
Duke nisur që me daljen e saj absurde nga sistemi e duke vazhduar me sjelljen po te tillë ndaj nervit të zbuluar të shoqërisë shqiptare. Më shumë se zgjedhja e shqiptarëve në prill, në opozitë kanë hall kryesor zgjedhjen e listës së deputetëve. Ky duket se është dhe një nga shkaqet kryesorë, që përballë qirinjve të mençur të përshpirtjes, zgjodhën betejën me semaforët në rrugët e Tiranës. Pa kuptuar se pushteti është si femrat në dashuri: qetësisht dhe butësisht, me kujdes e delikatesë, pushtetit i hyn brenda edhe një batalion budallenjsh. Me egërsi e brutalitet mund të ndodhë ta marrësh, ta rrëmbesh, ta pushtosh e ta dhunosh, por jo jo ta mbash pushtetin.
Letrat po bëjnë ndarjen e fundit përpara pokerit të prillit. Nuk është e thënë të fitojë dora më e mirë, por ngjyra e dorës pa fat është gjithmonë e më e dukshme. Opozita duket kaq pa besim se do të jetë fituese, kurse maxhoranca po hyn në Vitin e Ri të fundit të këtij mandati, njëlloj si ata të sëmurët asimptomatikë që e kanë kaluar Covid-in në këmbë. Me probleme në shije dhe nuhatje. E lodhur, pa forcë dhe pa fantazi.
Nuk ka shenja të dukshme të sëmundjes, por ka dëshirë të flejë gjatë, me ëndrrën që askush mos t’i trokasë në derë: në emër të Popullit apo në emër të Klodianit! Kjo është arsyeja kryesore se pse klasa politike ne vend, ajo e trashëguara apo ajo që është improvizuar me lehtësi kriminale vit mbas viti, ngjan gjithmonë e më shumë si një turmë alienësh në Tiranë, siç do të lebetitej Sting-u i “The Police”, kur të shihte se përballë gjithë shoqërisë shqiptare ndryshon dora që e hedh, por jo guri që i hedhin kokës!