Aktori i humorit, Aleks Seitaj, ishte i ftuar sot në rubrikën “Dream Team” në emisionin “E Diell”, ku ka folur si rrallëherë për fëmijërinë e tij. Aleks tregoi se familja e tij nuk mund t’i blinte lodra dhe se ai kishte vetëm një shall për t’u argëtuar. Aktori i “Portokalli” u shpreh se ai shall i zhvilloi imagjinatën dhe që madje nuk ishe i tij, por i të ëmës.

“Mbaj mend që në fëmijërinë time kam qenë një fëmijë i vetmuar dhe kisha një shall, nuk kisha lodra se ishim të varfër dhe atë shallin unë e përdorja si makinë, si tapet fluturues dhe që nga ajo kohë vetëm me atë shallin që na gjendej dhe kam përshtypjen që na u zhvillua imagjinata është nga gjërat që influencoi në profesionin që unë kam sot. E kam atë shallin se ishte shalli i mamasë time sepse janë disa gjëra të pajës së mamasë përfshirë dhe robdishani që kam në sketçe që janë për muze. Pavarësisht se babin e dua shumë, më duhet të them se luaja me mamin, zakonisht bënim lojëra ‘mos u nxeh’, por mbaj mend që kemi parë shumë filma me mamanë”, rrëfeu Aleksi.

Aktori i humorit ka marrë shumë famë edhe në rrjete sociale me skeçet e tij të famshme me rolin e mamasë, ku në secilën prej tyre të gjithë ne kemi gjetur diçka të ngjashme me nënat tona.