Një ngjarje e pazakontë është denoncuar në komisariatin nr.3 në Tiranë, ku një 27-vjeçar ka kallëzuar një veteriner pas ngordhjes së maces së tij.

Mësohet se L.P, 27-vjeç më datën 30 nëntor të këtij viti ka bërë një kallëzim ndaj veterinerit I.B, pasi siç pretendon ka çuar macen e tij për ta mjekuar pas një plage por nuk ka treguar kujdesin e duhur për të dhe për pasojë macja ka ngordhur.

Në raportin e referimit në Prokurori të veprës penale thuhet se L.P ka shkuar në një veterineri në rrugën e ‘Barrikadave’ në Tiranë, pas i macja e tij kishte një plagë në buzën e poshtme. L.P tregon se veterineri kishte thënë se plaga nuk është shqetësuese dhe e kishte mjekuar me anë të një pomade, madje i kishte dhënë edhe disa ilaçe për mjekim të mëvonshëm, ku sipas veterinerit macja do të shërohej pas tre katër ditësh. Por sipas L.P ende pa shkuar në banesën e tij macja ka ngordhur dhe ai është kthyer menjëherë në veterineri. Veterineri I.B i ka bërë dy gjilpëra por pa mundur ta ktheje në jetë macen. Ai më pas telefonoi policinë për të bërë kallëzimin pasi sipas tij për macen nuk është treguar kujdesi i nevojshëm. Ai kërkon ti mbyllet dyqani si dhe ti hiqet licenca e pasi nuk e quan veteriner të merituar si dhe kërkon që çështja të ndiqet në mënyrë ligjore dhe veterineri të marrë ndëshkimin e merituar.

Ndërkohë në pyetje është marrë edhe veterineri I.B i cili ka treguar të njëjtin version si 27-vjeçari por ka thënë se pas ngjarjes familjarët e 27-vjeçarit e kanë kërcënuar, sharë dhe thyer xhamin e veterinerisë. Ai mendon se ngordhja e maces ka ardhur nga ndonjë reaksion alergjik që mund të ketë shkaktuar pomada dhe që mund të jetë stimuluar nga ndonjë sëmundje kardiake që ka patur macja.