Tiranë, 4 Dhjetor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë një komunikimi me median ka deklaruar se në strukturat spitalore Covid janë punësuar 280 personel shëndetësor për t’u shërbyer pacientëve të prekur nga Covid19. “Nga periudha e marsit deri më tani vetëm përsa i përket strukturave tona në spitalet Covid, janë më shumë se 280 mjekë, infermierë, punonjës në sistemin shëndetësor, të cilat janë punësuar”, tha Manastirliu.

Manastirliu në përgjigjie të pyetjes së gazetarëve për fuqizimin e spitaleve rajonale tha se janë më shume se 850 infermierë dhe 114 mjekë të cilët janë punësuar gjatë periudhës Covid në tërësi në sistemin shëndetësor. “Në terësi, në gjithë sistemin shëndetësor 850 infermierë të punësuar, po flas për gjithë sistemin, qendra shëndetësore, ambulanca, spitale, personel të cilët janë përfshirë në strukturat tona të epidemiologjisë dhe 114 mjekë (mjekë familje dhe mjekë specialist) të cilët janë punësuar përgjatë kësaj periudhe, pra jo vetëm me destinacion Covid-in, por në terësi në sistemin shëndetësor”, deklaroi Manastirliu.