Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga një mot i keq, shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe bore, kryesisht në zonat malore. Nisur nga parashikimi i motit, OSSH më herët organizoi dhe ngriti grupet e gatishmërisë në të gjithë vendin, duke përforcuar personelin dhe bazën materiale të nevojshme. Pavarësisht masave, koha e keqe ka penguar stafet tona të reagojnë më shpejtë për normalizimin e situatës.

Problematika janë shfaqur kryesisht në zona të thella rurale, ku gjatësia e rrjetit arrin deri 60 km, sidomos në veri të vendit. Dëbora është bërë pengesë për kalimin e bazës materiale, pasi rrjeti elektrik kalon në terrene të vështira, si në Valbonë, Lekbibaj, Lëpushë, Kelmend, etj. Sipas OSSH dëmet janë kryesisht te përcjellësit, izolatorët dhe shtyllat, pra në rrjetin ajror që kalon përmes relieveve malore.

Petraq Lika, administrator i OSSH Sh.A, thotë për mediat se, “nga brigadat e terrenit po punohet me intensitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura”. “Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale, ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në zgjidhjen e problemit për shkak të terrenit të vështirë”, tha Lika.Afro 90% e defekteve janë në zona rurale, ku 70% janë në zona “rurale të thella”. Aktualisht rajonet më të prekura nga defektet janë Shkodra, Kukësi, Vlora, Burreli dhe Bajram Curri.