Në muajin nëntor të këtij viti, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 2.339 mijë ton-kilometër, ose 42.8% më pak krahasuar me nëntorin e vitit 2019. Rënie të madhe volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë shënoi edhe përgjatë 11-mujorit. Sipas INSTAT, në 11-mujorin e vitit 2020, volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 23.279 mijë tonkilometër, duke u ulur me 42,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Ndërkohë, në fund të muajit tetor të këtij viti është finalizuar edhe procesi përzgjedhës për kompaninë që do të ndërtojë hekurudhën Tiranë-Durrës, me degëzim në Rinas, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë nisjes së punimeve për këtë vepër të rëndësishme dhe të shumëpritur prej vitesh. Ajo do të jetë kompania italiane INC S.P.A, e cila paraqiti ofertën më të ulët në shumën 69.7 milionë euro u shpall fituese dhe do të ndërtojë linjën hekurudhore. Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës parashikon që krahas ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave gjeometrike dhe operacionale të vijës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët. Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt aeroportit “Nënë Tereza” nëpërmjet përdorimit të trenit që do konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në përmirësimin e qarkullimit të makinave në oraret e pikut të lëvizjes.