Qeveria shqiptare miratoi ndryshimet në ligjin “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, çka i hap rrugën dhënies së shpërblimit në fund të vitit për sektorin e shëndetësisë dhe Policisë së Shtetit. Vendimi është publikuar sot në Fletoren Zyrtare. Me anë të një vendimi qeveria kishte ndaluar dhënien e shpërblimeve në fund të vitit.
Por, sipas ndryshimeve të miratuara, nga ky vendim përjashtohen sektori i shëndetësisë dhe Policia e Shtetit. “Në fund të pikës 9, të vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Përjashtimi kufizues sa më sipër nuk aplikohet për institucionet e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e Policisë së Shtetit, mënyra e pagesës së të cilave përcaktohet, përkatësisht, nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, thuhet në vendin. Më herët qeveria ka miratuar një tjetër vendim i cili i hap rrugën rritjes me 40% të pagave për mjekët, infermierët dhe laborantët në të gjithë vendin. Kjo për shkak të situatës me të cilën ata po përballen për shkak të pandemisë së virusit Sars-Cov-2.