Nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin, si pjesë e komisionit për Politikën e Jashtme, në drejtimin e Adnor Shameti, zhvilloi sot një dëgjesë me ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, lidhur me aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, për vitin 2020. Majko u shpreh në raportimin e tij se për ministrinë që drejtonte, viti 2020 përbënte një periudhë të vështirë, si pasojë e emergjencës së krijuar prej COVID, por kjo, sipas ministrit Majko, nuk kishte përbërë pengesë për të miratuar strategjinë e dytë.

Ministri e vuri theksin te fakti që, prej vitit 2017, Ministria e Shtetit për Diasporën ishte ndër të rrallët institucione, që brenda kësaj periudhe ka miratuar dy strategji. Majko u shpreh se prej periudhës 1 janar nis zbatimi i strategjisë së re, përmes zyrës së IOM-it në Tiranë, për periudhën 2021-2025, që nënkuptonte një strukture me 4 agjenci, 1 dhomë biznesi dhe 1 gazetë në drejtim.

Ministri Majko u ndal edhe te dy çështje me rëndësi: ecurinë e marrëveshjeve ndërshtetërore për pensionet e emigrantëve dhe votimi i emigrantëve. Për marrëveshjet ndërshtetërore lidhur me çështjet e pensioneve në shtetet pritëse të emigrantëve shqiptarë, ai u shpreh se ka patur vështirësi prej mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë, që vështirësonte negociatat përgjatë pandemisë. Megjithatë, ai vuri në dukje një ecuri pozitive nga komunikimet online me përgjegjësit shtetërorë të qeverisë italiane, nga ku ka marrë informacionin që çështja e marrëveshjes së pensioneve është vetëm çështje kohe mes Shqipërisë dhe Italisë.

Lidhur me votën e emigrantëve, ministri Majko u shpreh se është në komunikim të vazhdueshëm javor me KQZ-në, e cila, me dy nenet e miratuara të Kuvendit në Kod Zgjedhor, gëzon të drejtën e plotë për vendimmarrje lidhur me votimin e emigrantëve. Pas miratimit të Kodit Zgjedhor, nga ana e Ministrisë së Shtetit për Diasporën është ruajtur komunikimi me OSBE-në në këtë drejtim. Majko u shpreh se ministria e tij i është përgjigjur çdo kërkese të KQZ-së, ka organizuar koordinimin e grupeve të interesit të diasporës me kryetarin e KQZ-së. Ai shtoi po ashtu se është në pritje që vendimmarrja e KQZ-së të jetë sa më e shpejtë dhe pozitive, për aspektet teknike të votimit të emigrantëve, të miratuar tashmë në ligj.

Më tej, drejtoret e agjencive përkatëse, Sonila Hysi, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Majlinda Vogli, drejtore e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, Mimoza Hysa, drejtore Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe Diana Kastrati, drejtore e Qendrës së Studimeve për Arbëreshët, raportuan sipas dikastereve përkatëse për arritjet dhe nevojat institucionale.