Shumë nga shpenzimet e planifikuara në buxhetin e vitit 2021 mund të ngrihen në rast se situata me pandeminë përkeqësohet. Është kjo deklarata e bërë nga Ministrja e Financave, Anila Denaj në emisionin “Open”, sipas të cilës qeveria ka parashikuar një plan B për t’iu përgjigjur nevojave të emergjencës për më shumë fonde.
Por, kush janë zërat që mund të preken në rast se ky skenar materializohet? “Listë konkrete kemi dhe fillon nga të gjitha shpenzimet operative, sikurse edhe këtë vit që vjen janë parashikuar me një reduktim në krahasim me 2019, vazhdon me të gjitha projektet edhe në infrastrukturë së bashku me ato të rejat do të ndërpriten. Të gjitha janë subjekt i ndërprerjes, të gjitha. Kalon menjëherë në një sistem tjetër, ku shpenzimet duke filluar nga ato të PPP ngrihen në varësi të negociatave. Në një situatë emergjence të gjitha futen në një koncept i cili nënkupton unë bllokoj, ngrij, negocioj dhe amortizoj të gjithë situatën në raport me të ardhurat dhen me emergjencën.”
Ndër të tjera, kryefinancierja Denaj deklaroi se së shpejti do të jetë gati edhe një garanci e tretë për bizneset, një kërkesë e vazhdueshme e sipërmarrjes, veçanërisht e industrisë fason. “Garancia e parë nga 11 mld u përthith vetëm 6 miliardë dhe pjesën tjetër kemi menduar tia kalojmë eksporteve, sidomos për industrinë fason. Kemi një diskutim konkret në tryezat tona, do të duhet ta materializojmë në momentin që e kemi gati. Nuk është modeli më i mirë dhe më i suksesshëm në një vit 3 garanci sovrane, kur garancia e dytë është akoma në funksion. Ne kemi shtyrë afatet.” Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, deri më tani nga garancia e dytë sovrane për likuiditet kanë përfituar rreth 200 kompani me një vlerë totale prej 51 milionë euro nga 120 milionë euro që është në total kjo linjë kredie, ndërsa iu është refuzuar kërkesa për hua rreth 100 ndërmarrjeve të tjera.