Drejtuesi politik i PS-së në qarkun Shkodër, Ilir Beqaj ka reaguar për protestën e sotme në qytetin verior, ku janë djegur sende që ishin brenda selisë të Partisë Socialiste. Beqaj theksoi se pala tjetër politike po përdor fëmijët si “kamikaz”, duke shtuar se veprimi i një polici nuk përfaqëson Policinë e Shtetit.
“Shkodranët dhe shqiptarët janë të mençur për të kuptuar se një polic nuk është Policia e Shtetit. Ka përpjekje të shëmtuar për të përdorur fëmijët si kamikaz. Më vjen keq pse u zgjodh Shkodra për këtë provokim. Shkodra është e demokratëve dhe e socialistëve, por edhe mbarë shqiptarëve. Në Shkodër nuk ka ndodhur kurrë më parë që ndodhi sot. Ne do të vazhdojmë që të qëndrojmë me vendosmëri. Ka kohë që Sali Berisha mburret se ka vrarë njerëz në bulevard më 21 janar”, tha Beqaj.