Kryeministri Edi Rama ka bërë bilancin e rindërtimit në Kurbin, ku thotë se po ndryshohet për mirë jeta e mijëra familjeve që u goditën nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar.

“Falë pasionit politik për ndryshimin, i cili është edhe arsyeja pse unë merrem me politikë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë thotë se në Kurbin janë angazhuar 8 kompani shqiptare, krahas kompanisë turke që po vijon punimet në kantierin 1 të lagjes së re. 160 apartamente pritet të përfundojnë brenda muajit Mars të vitit të ardhshëm ndërsa 364 apartamente të tjera do të jenë gati në Qershor. Rama thotë se në këtë lagje do të ketë 1 qendër tregtare dhe 37 njësi shërbimi.

“Ka nisur puna me infrastrukturën, për ndërtimin e mbi 200 apartamente të tjera me fondet e qeverisë shqiptare, në kantierin 2 të lagjes së re, ku do të zgjidhet përfundimisht edhe sistemimi i përroit të qytetit, shkaktar përmbytjesh prej dekadash”, thotë Rama ndërsa së shpejti premton nisjen e 211 banesave individuale. 180 pallate do të fillojnë punën meremetuese, ndërsa 1 shkollë do të përfundojë brenda këtij viti.

“Nis puna së shpejti edhe për rindërtimin e spitalit të qytetit dhe godinës së bashkisë; 1820 familje janë shërbyer me grante rikonstruksioni nga 100 mijë deri ne 500 mijë lekë, me një total prej 500,900,000 lekë; 1615 familje shërbehen me bonus qeraje prej muajit Dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi”, thotë Rama.

Rama ndër të tjera thotë se politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Sipas tij, shumë jetë njerëzish ndryshojnë për shkak se politika bie në duar të mira.

“Shumëkush kujton, krejt gabimisht, se politika është një e keqe e madhe në vetvete dhe se politikanët janë të gjithë njësoj! Por pa politikën nuk do të kishim pasur qytetërimin demokratik, as Shtetet e Bashkuara, as Bashkimi Europian, as Karta e Lirive e të Drejtave të Njeriut, as shteti social, as artet e kultura dhe as miliona e miliarda të mira të tjera për njerëzit e kësaj bote, nuk do të ekzistonin po të mos ekzistonte politika! Dhe nëse politikanët do të ishin të gjithë njësoj edhe gjërat do të mbeteshin gjithnjë njësoj! Po pikërisht pse politika siç bie në duar të këqija e bën keq, bie edhe në duar të mira e bën mirë dhe falë faktit se politikanët nuk janë të gjithë njësoj, edhe shumë gjëra ndryshojnë për mirë në jetën e vendeve”.