Nga Elton Koka/

Gara elektorale e vitit 2021 ka filluar, e bashkë me të përpjekja e sondazheve për të hedhur dritë mbi sjelljen e votuesve të shoqërisë shqiptare. Kështu, Instituti Piepoli, një organizatë e pavarur italiane e njohur për kërkimin dhe analizat e opinionit publik, ka publikuar një sondazh që lidhet me preferencat partiake të shoqërisë sonë dhe me mënyrën si ne perceptojmë udhëheqjen e deritanishme të Partisë Socialiste. Sondazhi nuk sjell lajme të mira për opozitën. PS ka një rritje me rreth 6-9% nga zgjedhjet e fundit parlamentare, duke shkuar në nivelin 54-59%. Për ta përkthyer në mandate, sipas sondazhit, Partia Socialiste fiton e vetme fiton 60% të parlamentit në 2021-shin, pra më shumë se 74 mandate që ka tani. Edhe PD ka një rritje duke shkuar në nivelin e 34%. Por LSI duket se do tkurret në parëndësi. Sondazhi e parashikon atë të shkojë në nivelin e 10%. Rrjedhimisht, shumatorja e votave të opozitës, nuk mund ta kërcënojë dot mandatin e tretë të PS.

Në një kohë që për fitoren politike të Shqipërisë shpresa e opozitës duket e venitur, për Tiranën ajo as nuk mundet të ëndërrojë. Kjo kuptohet nga sondazhi i Piepolit, që tregon se në kryeqytet Partia Socialiste fiton 60% të votave, duke nxjerrë 25 deputetë. Kaq shumë mandate të fituara vetëm në një qytet do ishin katapulta e duhur që do lartësonte çdo parti drejt pushtetit, jo më një që ka 8 vite aty. PD në të kundërt, sipas sondazhit do të dalë nga zgjedhjet me 30% të votave, ndërsa LSI me vetëm 2-4%.

Këto shifra vizatojnë një panoramikë të qartë nga ku Partia Socialiste shihet e vetme në mandatin e tretë. E megjithatë, ato i hapin rrugën edhe një pyetje: Pse pas 8 vitesh pushtet të Ramës, opozita e ka kaq të pamundur mundjen e tij? Fundja, sipas Piepolit, shqiptarët janë të pakënaqur në disa aspekte të qeverisjes Rama. Këtë pakënaqësi ama, PD-LSI nuk ka ditur si t’i kapitalizojë. Ajo premisat për fitore i gjen gjithkund jashtë vetes, por asnjëherë brenda saj. Opozita naivisht shpreson tek rotacioni, duke harruar se ai nuk është një gjallesë që jeton fshehur në brendësi të shqiptarëve, e që nxjerr kokën çdo 8 vjet; nuk është as një proces natyral që ngjizet vetvetiu. Rotacioni është një mekanizëm, energjia i të cilit vjen së jashtmi. Katalizatori që ndez atë është një frymë opozitare që ballafaqon qeverisjen me alternativën e vet. Por opozita nuk e bën këtë. Ajo sot nuk ka alternativë.

Shembulli më flagrant janë protestat, ku asnjë parti opozitare nuk është e dëshiruar, bile është e përçmuar. Kjo duket qartazi sa herë Basha kritikon qeverinë për përgjigjen ndaj pandemisë, pa parashtruar asnjë mënyrë se çdo bënte ndryshe. Kjo duket qartazi kur Basha bën premtime ekonomike që ekspertët i cilësojnë si ulëse e jo përmirësuese të standardëve që Shqipëria ka sot. Kjo duket qartazi kur Kryemadhi del e thotë që besimi në Zot pengon infektimin nga Covid. Mungesa e alternativave e bën të pavotueshme opozitën e sotshme, një realitet që paraqitet edhe në sondazhit e Piepolit.

Kjo pavotueshmëri shkaktohet nga një politike jo-koherente që opozita ka ndjekur. Gjithkush e mban mend se si premtonte ajo djegien e Kryeministrisë në furrën e protestave opozitare. Furra ishte shumë e vogël. Kryeministrinë nuk e dogji dot, ndaj thjesht dogji mandatet e saj. Një proces që nuk i solli asgjë të mirë as opozitës vet, e jo më shqiptarëve. Shembulli tjetër është mos-hyrja në zgjedhjet lokale. Një aksion politik i cili u tregua se nuk kishte as drejtim e as destinacion. Ndaj, mund të thuhet se kjo opozitë ka ndjekur veprim pa mendim, duke ia bërë të pamundur vetes t’i ofrojë diçka shoqërisë. E duke mos ditur të bëjë opozitën, ajo nënkupton se nuk do të dijë të bëjë as pozitën. Është kjo arsyeja pse sondazhet e tregojnë aq poshtë dhe është kjo arsyeja pse Rama është më shumë pranë se kurrë arritjes të së paarrirës: mandatit të tretë.