Kryeministri Edi Rama ishte sot në Thumanë, ku theksoi se “po bëhet një punë mbresëlënëse në kantierin e Rilindjes për banesat individuale, infrastrukturën rrugore, pallatet, shkollën, kopshtin, ambulancën, njësitë e shërbimeve publike si edhe qendrën e re komunitare së bashku me terrenet sportive e parqet”.

I shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Kryeministri Rama pa nga afër kantieret e punës në Thumanë. Rama tha se Thumana, Fushë-Kruja dhe Bubqi do të jenë modele komplet të reja që s’kanë lidhje fare me çfarë është bërë në 30 vite”. “Do t’i japin një sens komplet tjetër të mënyrës si duhet parë ndërtimi dhe si duhet parë bashkëjetesa edhe në zonat rurale”, tha ai.

Ministri Ahmetaj theksoi se në zonën e Thumanës kemi 155 banesa individuale, por të organizuara në mënyrë kolektive”. “Janë 155 vila se atë organizim kanë dhe 275 apartamente që ndërtohen në pjesën perëndimore. Thumana dhe Fushë-Kruja, Vaqarri dhe Bubqi ngjajnë shumë me njëri-tjetrin në zhvillim se janë struktura kolektive”, tha ai.

Ahmetaj tha se “Thumana është realisht qytet i ri”. “Është një nga 3 qytetet më të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019. Ndërkohë pallatet në Thumanë janë 4-5 katëshe, ku katet e para janë njësi tregtare me gjithë infrastrukturën e nevojshme. Brenda pranverës të gjitha pallatet do të jenë në fazë karabinaje.