Kryeministri Edi Rama vizitoi sot shkollën e rindërtuar në Sukth, “Njazi Mastori”. “Shkolla e rilindur e Sukthit “Njazi Mastori”, nga një epiqendër e përmbytjeve pas çdo shiu, ku ndalonte mësimi me ditë derisa të ikte uji, është kthyer sot në një qendër shembullore komunitare, me kopshtin pranë e me mjediset sportive e argëtuese, sipas standardeve më të mira europiane, në shërbim të 950 nxënësve, 110 vogëlushëve e të komunitetit po ashtu”, u shpreh kryeministri Rama.
Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj u shpreh se, “kjo shkollë është një nga shkollat më të mëdha në Shqipëri me 950 nxënës. Këtu ku po ecim tani dikur me një gjysëm shiu përmbytej dhe duhet të kalohej me çizme. Shkolla ka 27 klasa, 4 laboratorë, palestrën”.
Kryeministri Rama kërkoi që të bëhet një sistemim i vogël i mureve rrethues me suvatime dhe me një pikturë të madhe murale. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, u shpreh se në katin e parë ndodhen biblioteka, palestra dhe sallat e mësuesve, ndërsa në klasat e sipërme janë klasat dhe laboratorët. Ajo shtoi se kjo shkollë ka rreth 40 ambiente mësimore për nxënësit dhe fëmijët e kopshtit.
Kryeministri Rama vizitoi edhe ambientet e palestrës si dhe klasat mësimore. Drejtori i shkollës tha se, “janë 52 persona staf mësimor për 950 nxënës. Është zgjidhur përfundimisht puna e turneve. Dy gjëra që ishin problem e para pjesa e turneve që është eliminuar 100%. E dyta dje me gjithë ato reshje 3 ditë rresht nuk u përmbyt ne pezullonim mësimin 1 ditë 2 ditë kur binte shi”.
Kryebashkiakja e Durrësit, Sako duke bërë një përmbledhje të procesit të rindërtimit në Durrës, u shpreh se, “kemi dhënë 10 mijë grante për qytetarët e Durrësit. Kemi pasur një fond për këtë rreth 34 milionë dollarë. Pastaj kemi filluar punë dhe në 2 lotet e tjera të cilat i kishim në proces. Gjithashtu ka filluar puna për 455 banesat individuale. 15 objektet e para kanë përfunduar”.
Për banesat me dëmtime DS4, Sako tha se, “jemi në fazën e projekteve. Kemi marrë një fond për 6 objektet e para dhe po fillojmë edhe me to procesin për të filluar punën në mesin e janarit”.