Vaksina anti-covid e prodhuar nga Pfizer në bashkëpunim me BioNTech ka treguar një përgjigje të fortë imunitare në dhjetë ditët e para të administrimit të dozës së saj të parë. Sipas New York Times, këtë lajm e ka bërë të ditur një dokument i publikuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave.

Muajin e kaluar, Pfizer dhe BioNTech kishin njoftuar se vaksina e tyre kishte një nivel efikasiteti prej 95%, pas dy dozave të injektuara në një distancë kohore prej tre javësh. Analizat e reja po tregojnë se mbrojtja në fakt nis më herët. Gjithashtu, në raport theksohet se vaksina ka funksionuar mirë, pavarësisht etnisë, peshës, ose moshës së vullnetarit. Në raport nuk janë gjetur probleme të lidhura me vaksinën, por disa persona, pas injektimit të saj, janë shprehur se kanë pasur dhimbje, temperaturë dhe disa efekte të tjera anësore. Ditën e enjte komiteti konsultativ i vaksinave të “Administratës së Ushqimit dhe Barnave” do t’i diskutojë këto probleme, përpara se të votojë mbi mundësinë për të rekomanduar autorizimin e vaksinës së Pfizer dhe BioNTech në SHBA.

Pfizer dhe BioNTech kanë kryer një studim në shkallë të gjerë që prej muajit Korrik , duke përfshirë 44 mijë persona në SHBA, në Brazil dhe në Argjentinë. Nga njerëzit e vaksinuar numri I rasteve të reja me covid është reduktuar me shpejtësi, rreth 10 ditë pas injektimit të dozës së parë. Megjithatë, ende mbetet e paqartë se sa është kohëzgjatja e mbrojtjes nga një dozë e vetme, por disa studime kanë theksuar rëndësinë e dozës së dytë.