Supersfida e La Liga-s që ishte njëkohësisht edhe derbi i Madridit mes Realit dhe Atleticos ka përfunduar 2-0 në favor të ‘galaktikëve’. Për shkak se Atletico nuk kishte asnjë humbje në kampionat pritej një rezistencë e jashtëzakonshme, por ekipi i Zidan tregoi edhe njëherë se kur vjen puna te ndeshjet e mëdha ata janë mbretërit.
Në Alfredo Di Stefano fillimisht do të zhbllokonte Casemiro, ndërsa më pas një predhë e Carvajal, e ndihmuar edhe nga portieri Oblak, ishin të mjaftueshme për të marrë tre pikët. Gjithsesi në tabelën e klasifikimit Atletico vijon të jetë tre pikë më shumë se Reali i Madridit. Ndërkohë në Premier League derbi i Manchester-it është mbyllur 0-0. Në Old Traford më shumë mbizotëroi frika për të rrezikuar, por ndikoi tej mase edhe lodhja e ekipeve, që në mesjavë ishin në fushë për llogari të Champions League.
Sakaq suprizën e ka bërë Evertoni i Carlo Ancheloti-t që në ‘Godison Park’ fitoi 1-0 kundër Chelsea-s së Frenk Lampard. Vendimtare në këtë përballje ishte penalltia e minutën e 22 të kthyer në gol nga Sigurdsson.
Në Bundesligë Bayern Mynchen nuk ia ka dalë në transfertën e Berlinit kundër Union pasi është ndalur me rezultatin 1-1. Vendasit realizuan të parët me golin e Promel, ndërsa për Bayern baraspeshoi Leëandoëski në pjesën e dytë.
Ndërkohë në Seria A Lazio është shtangur në Olimpico nga Verona e cila e mposhti 1-2. Ndeshja u zhbllokua nga një autogol në favor të miqve, ndërsa barazimi i Caisedo zgjati për pak kohë pasi Tameze vulosi shifrat përfundimtare.