“Ka disa ditë që duket sikur ka rënë numri i të infektuarve, në fakt kjo duhet shikuar edhe javës tjetër nëse është reale apo është një rastësi që numri i të infektuarve ka rënë”, u shpreh sot Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi. Ai tha se në mbledhjen e radhës së Komitetit Teknik të Ekspertëve do të diskutohet nëse do të ketë ndryshim të masave anti-COVID gjatë festave të fundvitit. “Duke parë indikatorët besoj se do të kemi ndryshime. Megjithatë është për t’u diskutuar në mbledhjen e radhës”, u shpreh Koraqi gjatë një interviste televizive.
Sa i përket rënies së numrit të të infektuarve dhe të shtruarve ditët e fundit, ai theksoi se duhet parë në vazhdimësi nëse kjo rënie është e qëndrueshme apo jo. “Ka disa ditë që duket sikur ka rënë numri i të infektuarve, në fakt kjo duhet të zgjasi dhe duhet shikuar edhe javës tjetër nëse është reale apo është një rastësi që numri i të infektuarve ka rënë. Ndoshta vjen si pasojë e afrimit të festive, por duhet parë në vazhdimësi nëse kjo rënie është e qëndrueshme apo jo. Pashë dje që numri i të shtruarve në spitale kishte rënë me rreth 20%. Nëse kjo është e qëndrueshme atëherë themi që kemi realisht një numër më të vogël të të infektuarve dhe një numër më të vogël të të shtruarve në spital, megjithatë kjo duhet parë në javët në vazhdim”, tha Koraqi.
Në lidhje me mutacionin që ka pësuar virusi, studim ky i Britanisë së Madhe, mjeku tha se akoma nuk ka një studim të mirëfillta lidhur me këtë fakt se ku qëndron ky mutacioni. “Thuhet se virusi është bërë më i transmetueshëm, por nuk ka ndryshuar formën e tij klinike. Ajo që është më e rëndësishme është nëse virusi ka ndryshuar strukturën e tij antigjenike, nëse vaksinat që janë prodhuar janë akoma të vlefshme”, tha ai.
Ndërsa shumë vende europiane njoftuan pezullimin e udhëtimeve nga Britania e Madhe për shkak të variantit të ri të COVID-19, Koraqi tha se grupi i ekspertëve do të diskutojë këtë fakt. Që nga muaji mars, Koraqi tha se mutacioni që ka pësuar virusi duket se e ka bërë më të transmetueshëm, 70% më lehtësisht i transmetueshëm, por nuk ka cënuar rëndesën e tij në sëmundje.