Zonat në veri të vendit që në orët e mbrëmjes së djeshme janë përfshirë nga reshjet e borës. Kryesisht qarku i Kukësit dhe pjesërisht në Dibër ka pasur reshje më të dendura bore, ndërsa janë marrë të gjitha masat që qarkullimi në akset rrugore të vijojë normalisht.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se në segmentin Pukë-Fushë Arrëz-Kukës, ka pasur reshje dëbore dhe është bërë pastrimi dhe shpërndarja e kripës. Reshje bore ka pasur edhe në segmentin Bulqizë-Peshkopi, por rruga është pastruar dhe qarkullimi vazhdon normalisht.
ARRSH thekson se në të gjitha akset kontraktorët kanë punuar me mjete dhe fuqi punëtore për mbajtjen hapur të akseve. Qarkullimi vazhdon normalisht dhe pa zinxhirë në të gjitha akset.
Mbi 500 mjete borëpastruese dhe mjetet të tjera të rënda, afro 1200 punonjës në gatishmëri janë angazhuar në kuadër të masave të marra për mirëmbajtjen dimërore të akseve rrugore, për të garantuar një qarkullim pa probleme dhe të sigurt të automjeteve.
Gjithashtu janë rezervuar afro 5 mijë tonë kripë që do të hidhen në rrugë, për të eliminuar ngricat. Që prej datës 15 nëntor janë ngritur shtabet e emergjencës në drejtoritë rajonale dhe atë qendrore ku raportohet gjatë 24 orëve lidhur me problematikat dhe situatën në akset rrugore.
Mirëmbajtja e akseve rrugore gjatë dimrit është ndarë në dy pjesë. 1300 kilometra praktikisht është në kontratën e mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore, ku ka katër kontrata që mbulojnë veriun, qendrën dhe jugun dhe pjesa tjetër e akseve rrugore, që janë 2400 kilometra, mirëmbahet nga Drejtoritë Rajonale në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar.