Qeveria shqiptare shpreh angazhimin të zbatojë rekomandimet e dala gjatë dialogut ekonomiko- financiar ndërmjet Bashkimi Europian, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në kuadër edhe të rimëkëmbjes ekonomike, si pasojë e pandemisë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria ka në fokus të veçantë realizimin e reformave në sektorë kyç të ekonomisë.
Denaj drejtoi takimin virtual me kolegët e Komisionit Europian në rolin e Koordinatorit Kombëtar, për Programin e Reformave Ekonomike 2021-2023, dokument i cili paraqet nismat kryesore të Qeverisjes për periudhën afatmesme, edhe në kuadër të integrimit të Shqipërisë.
“Jemi të angazhuar të zbatojmë rekomandimet e dala gjatë dialogut ekonomiko- financiar ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në kuadër edhe të rimëkëmbjes ekonomike, si pasojë e pandemisë. Do të kemi në fokus të veçantë realizimin e reformave në sektorët kyç, si energjia dhe transporti, ku parashikohet ndërtimi i segmentit hekurudhor Durrës-TIA-Tiranë, bujqësi, industri, shërbime dhe turizëm”, tha Denaj.
Po ashtu, theksoi ajo, qeveria synon të ndërmarrë edhe reforma për përmirësimin e klimës së biznesit dhe uljen e informalitetit, në zhvillimin e ekonomisë dixhitale, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, aksesin në financë, punësimin, tregun e punës si dhe mbrojtjen dhe përfshirjen sociale.