Thumana, është një tjetër kantier ku po merr formë dita-ditës lagjja e re me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, rrugët, ndriçimin, sinjalistikën, banesat individuale dhe gati për hedhjen e themeleve të pallateve. Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj publikoi sot pamje nga punimet që po kryhen në këtë kantier. Sipas Ahmetaj, kanë përfunduar punimet për shtrimin e segmenteve rrugore dhe asfaltimi, linjat e ujësjellësit, rrjeti i kanalizimeve dhe furnizimit me energji elektrike si dhe rrjeti i telekomunikacionit edhe në lagjen e re në Thumanë.

“Janë në ndërtim 35 banesa individuale nga 158 të tilla në total dhe së shpejti hidhen themelet edhe për 14 pallate për akomodimin e 278 familjeve brenda lagjes së re në Thumanë”, bëri të ditur ministri.Programi i Rindërtimit në Thumanë parashikon ndërtimin e 14 pallateve, 278 apartamenteve dhe 167 banesave individuale. Në Thumanë janë 16 ha truall ndërtimi dhe 37 426 m2 infrastrukturë rrugore. Po ashtu janë 3456 m2 ndërtim në objekte publike, shkollë, çerdhe, qendër shëndetësore, qendër komunitare, si dhe 46 148 m2 hapësira publike, parqe, hapësira sportive dhe 408 vendparkime.