Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në Durrës vijimin e punimeve në ambientet e përbashkëta të banimit, si dhe rindërtimin e shkollës nëntëvjeçare “Qemal Mici”. Gjatë inspektimit Kryeministri Rama tha se “145 objekte kanë përfunduar punën, ndërsa 9865 familje kanë marrë grantet për riparimet e brendshme. Ndërsa 615 pallate gjithsej, do të jenë shumë më të sigurtë e shumë më të bukur se sa në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar”. Kreu i qeverisë tha se pallatet kanë dalë më mirë seç ishin. “Mbaruan punimet për ju, të mbarojnë edhe për ata që janë pritje. Faleminderit për durimin”, u tha ai banorëve.
Një nga banoret, ish-pronare e tokës, ngriti shqetësimin për parkimin para pallatit. Kryeministri Rama tha se “në momentin kur ndërtohet një pallat ka një ligj që thotë, kaq përqind e pronës është e ndërtueshme, pjesa tjetër është e të gjithëve nuk është më e pronarit”.
Kryetarja e bashkisë së Durrës, Emirjana Sako, në inspektimin e një pallati tha se “ky objekt ka kategorinë e dëmit DS3″. Punimet kanë filluar në pjesën e brendshme të pallatit dhe po vijohet me muraturën e jashtme. Pallati është dëmtuar që në tërmetin e 21 shtatorit. Veshja po bëhet me sistem kapot në objektet e 1993, u shpreh Sako.
Sipas saj, janë edhe 157 objekte të tjera tek të cilat do të fillojë puna, 94 janë në plazh dhe pjesa tjetër në qytetin e Durrësit.
“Në lotet që janë me kontrata të lidhura, rreth 145 objekte kanë mbaruar nga puna dhe familjet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. I kemi shkëputur nga bonusi këto 300 familje dhe po vazhdon puna me meremetimin e pjesës tjetër”, – nënvizoi Sako. Kryebashkiakja tha se “9800 familje kanë marrë pagesën”. “Kemi dhënë fondin prej 34 milionë dollarësh me procesin e riparimit të ambienteve e do të kthemi në situatë normale”, u shpreh ajo. Gjatë inspektimit në shkollën nëntëvjeçare “Qemal Mici”, Sako tha se “1080 nxënës më herët e kanë bërë mësimin me dy turne, ndërkohë që ambientet reja rrisin kapacitetet dhe s’ka më mësim me dy turne, palestra është ndërtuar nën tokë”. Ministri Ahmetaj u shpreh se “Durrësi ka përfituar më shumë nga grantet e DS1 dhe DS3”.