Kryeministri Rama në Durrës ka inspektuar sot nga afër një kantier ndërtimi në Durrë, ku ka nisur puna për rindërtimin e pallateve të shembura, prej të cilëve 12 do të ndërtohen të reja në pikat ku u shembën të vjetrat dhe të tjerat në lagjen e re të Spitallës, me financimin e qeverisë mike të Emirateve të Bashkuara. Kryeministri u shpreh se në të gjithë bashkinë Durrës janë plot 2084 familje që do të hyjnë në apartamente të reja, duke bërë me dije se në Durrës ka ardhur përfaqësuesi më i lartë i kompanisë nga Emiratet e Bashkuara që ka marrë përsipër ndërtimin e 2 mijë apartamenteve.
“Baza do të jetë në gjithë lagjen e re që do të ndërtohet në Spitallë, njëkohësisht edhe këto godinat e tjera të pikëzuara, sicc i quajmë ne, individuale, pallate që do të ndërtohen aty ku faktikisht janë shembur, do të jenë pjesë e gjithë projektit që bashkë me kompaninë e famshme të Emirateve, një nga grupet më të mëdhenj të botës do ta çojmë para”, tha Rama. Kryeministri tha se me këtë punë intensive do të mundësohet një tranformim i thellë i gjithë qytetit.
“Ka qenë një periudhë shumë intensive pune, nisur nga pastrimi i shesheve deri kur vjen puna te ndërtimi, por në këtë rast kemi pasur edhe problemin e hartimit të gjithë rrugës së marrëveshjeve me qeverinë e Emirateve që e firmosëm para pak ditësh kur ishim atje. Ata menjëherë kanë çuar njerëzit, ka ardhur vetë drejtuesi më i lartë i kompanisë për të vijuar punën, ndërkohë jemi shumë të lumtur sepse njëkohësisht është konfirmuar shprehja e vullnetit për të filluar transformimin kolosal të portit të Durrësit, që do të thotë transformim kolosal i Durrësit, që do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm sepse do të transformohet në një port turistik, ndërkohë që do të ndërtohet dhe porti i ri”, dekalroi Kryeministri duke shprehur bindjen se në Durrës do të ndërtohet një nga portet më të bukura turistike të Mesdheut në Durrës.
“Pa diskutim që të gjitha ato që vijnë mbrapa nga pikëpamja ekonomie janë me impakt jo vetëm për Durrësin por për gjithë Shqipërinë si investim që shkon në mbi 2 miliard vetëm atje, pa llogaritur investimin e portit të ri dhe punësimet e të gjitha me radhë”, përfundoi Rama. Rama ishte sot edhe në një inspektim në shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi“ që u rrënua 26 nëntorin e shkuar, e sipas Kryeministri po rilind për 450 nxënës dhe mësuesit e tyre, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave Europiane.