Puna në kantierin e rindërtimit të infrastrukturës në Fushë-Krujë ka hyrë në fazën e fundit, ndërsa janë në përfundim 50 banesat e para individuale. Kështu u shpreh sot ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili theksoi se “brenda marsit do të përfundojnë 128 banesa individuale”. Ahmetaj theksoi se së shpejti nis edhe puna për ndërtimin e 15 pallateve, ku do të akomodohen 120 familje. Në total, theksoi ai, “228 familje do të akomodohen brenda lagjes së re në Fushë-Krujë”. Për sa i takon infrastrukturës, Ahmetaj tha se kanë përfunduar rreth 2500 m linear segmente rrugore, janë shtruar 1800 m linear asfalt, ka përfunduar rrjeti i ujësjellësit, kanalizimeve, ndriçimi rrugor, rrjeti i furnizimit me energji elektrike dhe linjat e telefonisë e internetit.

Sipas inxhinierit të këtij projekti, Elsid Qehaja, “në lagjen e re që po ndërtohet në Fushë-Krujë kemi rindërtimin e 128 objekteve, të cilat janë banesa individuale”. “Kemi filluar në fund të shtatorit, jemi pothuajse në 50 objekte të përfunduara, presim të mbarojmë deri në fund të shkurtit. Gjithashtu, pritet të ndërtohen rreth 15 pallate, ku do të akomodohen 120 familje”, tha ai. Ndërsa inxhinieri Andi Qero u shpreh se “infrastruktura për zonën numër 1 të rindërtimit në Fushë Krujë ka nisur rreth datës 24 qershor”.

“Punimet kanë ecur me ritme të përshpejtuara. Jemi në fazat e përfundimit të infrastrukturës në një rakordim me Fondin e Zhvillimit dhe operatorët e ndërtimit të shtëpive, do fillojmë rifiniturat e infrastrukturës në një fazë të dytë, pasi të mbarohen gjithë punimet civile për ndërtimin e banesave individuale. Janë vendosur kasetat individuale të gjithë rrjetit të instalimeve pranë çdo shtëpie. Kjo është edhe një risi për zhvillimin e ndërtimit në Shqipëri, pasi çdo banor merr akses para banesës së tij dhe ndërhyrjet në raste defektesh nuk prekin disa banesa, por mund të aksesohen vetëm te një kasetë e një operatori të caktuar”, tha ai.