Kryeministri Edi Rama u ka dhënë këtë të enjte në mëngjes, në vigjiljen e natës së ndërrimit të viteve çelësin e banesave të reja tre kryefamiljarëve në njësinë administrative Xhafzotaj në Shijak, të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në zonën e Shijakut në harkun kohor të një viti u janë dhënë çelësat e banesave mbi 400 familjeve, që mbetën pas strehë si pasojë e lëkundjeve të tokës nëntorin e 2019-së, ndërsa në të gjithë vendin janë mbi 1000 familje që do ta festojnë natën e ndërrimit të viteve në banesat e tyre.

Ndërkohë, në Bashkinë e Shijakut me datë 5 janar nis hapja e themeleve për ndërtimin e pallateve të reja.

“Kjo është bashkia që ka ecur me ritmin më të shpejtë, kjo sepse ky (Elton Arbana, kryebashkiaku), është më i miri nga këta që po ndërtojnë”,- tha Rama, teksa ka dialoguar me një nga familjet përfituese. Duke iu drejtuar vajzës së vogël të familjes, Rama tha se ajo tashmë duhet ta shlyejë moralisht banesën e re, duke marrë vetëm dhjeta.

“Çdo tullë të shtëpisë, një dhjetë. Duhet ta shlyesh borxhin moral për ndërtimin e shtëpisë. Prindërve dhe gjyshërve s’kemi ç’ti kërkojmë, bënë shtëpinë e parë, e u ra. Këtë ia ndërtuam ne, tani ty të ka mbetur të marrësh dhjeta e ta shlyesh moralisht”,- tha Rama.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, u shpreh se Bashkia Shijak ka bërë një punë shumë të mirë dhe është gati dhe nisja e pallateve. “Kjo është një nga 400 familjet që po futen në shtëpi brenda 31 dhjetorit dhe festojnë vitin e ri në shtëpinë e re. Flasim në të gjithë bashkinë e Shijakut, në total, duke përfshirë dhe të gjitha bashkitë janë rreth 1 000 familje që janë futur në shtëpitë e tyre të reja brenda 31 dhjetorit”,- tha Ahmetaj.

“Në Shijak ka mbaruar procedura për pallatet, ka tre ditë që është përgatitur kantieri. Kryebashkiaku Arbana ka bërë një punë shumë të mirë për pallatet. E ka dhënë lejen brenda një dite, iu dhanë në mëngjes letrat dhe pasdite u dha leja. Më datën pesë hapen themelet tek lagjia e re”,- u shpreh Ahmetaj.

Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana u shpreh se familjet që tashmë kanë banesa të reja janë trajtuar me bonus qiraje që nga dita e parë kur ra tërmeti dhe deri më sot që po marrin çelësat. “Shtëpitë këtyre familjeve i kanë përfunduar për 150 ditë. Më datë dhjetë nis puna përhapjen e themeleve tek lagjia Lugina. Janë 560 banesa që po i nënshtrohen rindërtimit dhe kanë përfunduar e janë dorëzuar 400 prej tyre”,- tha Arbana.