Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë per ABC News, u shpreh se deri më sot 200 familje të cilat kanë pësuar dëme nga tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit të vitit të kaluar kanë marrë çelësat e banesave të reja në dorë. Ai theksoi se se një pjesë e mirë e shtëpive të mbetura, pritet të përfundojnë para Vitit të Ri.

“Rreth 200 shtëpi mund të themi që në dy tërmetet e shtatorit dhe nëntorit, kanë marrë çelësat në dorë. Kemi rreth 500 në proces. Sigurisht shtëpitë private ecin pak më kollaj. Ne nuk bëjmë shpronësim, legalizim, rilevim, sepse praktikisht po përdorim terrenin tënd për të bërë shtëpinë. Për sa kohë të gjithë njerëzit janë në shtëpi, është vetëm çështje kohe. Janë shtëpi që shumica do përfundojnë para vitit të ri”, u shpreh ai.

Sipas Veliajt 12 pallatet e para kanë nisur të ndërtohen dhe pritet të strehojnë rreth 11 mijë persona.

“Jemi në diskutim me Universitetin, sepse duam të ketë edhe disa Fakultete, sepse të ketë jetë studentore. Ideja është e Tiranës Policentrike, ku lagjja e re në Kombinat, “5 Maji”, por edhe lagjet ekzistuese si Lapraka, Ali Demi, të shërbejnë si qendra polifunksionale. Sot filozofia më e madhe në kryeqytetet evropiane është qyteti 15 minutësh. Pra ideja është pa pasur nevoja për të përdorur makinën, a mundesh duke ecur në një rreze prej 15 minutash nga shtëpia jote të kesh shërbimet bazë. Do të ketë vend vetëm për ndërtesa publike. Nuk do ketë hapësirë për ndërtime private pasi kjo tokë është në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Në disa prej pronave në Kombinat ka çudira shqiptare. Në fund të 2021 kemi objektiv të kemi strehuar të gjithë banorët që kanë pësuar dëme nga tërmeti”, përfundoi Veliaj.