“Gjermania po angazhohet për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kështu u shpreh sot në Bruksel, ministri gjerman për Europën, Michael Roth, i cili tha se “Gjermania po bën të gjitha përpjekjet për hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Por, sipas tij, “duhet të plotësohen edhe ca kushte”.

“Ne (Gjermania) si drejtues të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, po bëjmë të gjitha që janë në mundësinë tonë që mundësisht sa më shpejt, të arrijmë unitet për organizimin e konferencave ndërqeveritare për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut, e pas plotësimit të pak kushteve të mbetura, edhe me Shqipërinë”, tha Roth, i cili merr pjesë në këshillimet përgatitore të samitit të ardhshëm të Bashkimit Europian.

Roth nënvizoi se çdo veprim tjetër, përveç çeljes së negociatave me këto dy vende, “do të ishte një gabim tepër i rëndë politik, që do të cenonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, e kjo do të cenonte në mënyrë masive edhe sigurinë në Evropë”.

“Këtë duhet ta dinë të gjithë”, theksoi ai. (DW)