Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi sot rrëfimet e pacientëve që po luftojnë me sëmundjen e vështirë, Covid-19 në Spitalin Infektiv. Manastirliu shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për punën e palodhur të mjekëve dhe infermierëve. “Respekt për punën e palodhur të ekipeve tona mjekësore në përballje me COVID19, në misionin e paçmuar për të shpëtuar jetë”, thotë ministrja.
Në dëshmitë e tyre, pacientët tregojnë për sëmundjen e vështirë dhe shërbimin e marrë në Spitalin Infektiv. Ata i konsiderojnë mjekët dhe infermierët heronjtë e kësaj kohe.

“Për shkak të ngarkesës mediatike, që i është bërë vetë sëmundjes në përgjithësi dhe rrjeteve spitalore të infektivit, të them të drejtën në fillim pata një lloj hezitimi por jo fr ikë sepse është vendi i duhur për të marrë kujdesin e duhur. Me pak fjalë kjo mund të jetë edhe për të gjithë skeptikët ose frikacakët. Unë po bëj 25 ditë këtu dhe sinqerisht kam një mirënjohje të thellë për të gjithë stafin duke filluar nga drejtoresha, kryeinfermierja, pra jemi familjarizuar kaq shumë saqë jemi bërë si një shtëpi”, thotë një pacient.

“Isha në formë të rëndë të sëmundjes dhe tani jam shumë më mirë falë mjekëve që kanë bërë punë heroike. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i drejtohen spitaleve dhe të mos dëgjojnë fjalët poshtë e lartë dhe të marrin veten më qafë’’, shprehet një tjetër pacient i shtruar në Infektiv.