Një tjetër familje, ajo Shabanaj në Baldushk hyri në shtëpinë e re të ri-ndërtuar pas tërmetit të një viti më parë. Bashkia e Tiranës thotë se Ademi dhe Elvira udhëtuan nga Greqia, ku edhe punojnë, për të marrë, dokumentet e pronësisë nga krye-bashkiaku Erion Veliaj. “Në Baldushk dhe në zona të tjera si Ndroqi, Peza, Zallherri, po aplikojmë parimin e lagjes së qendërzuar. Familjet do t’i mbajnë tokat e tyre, askush nuk humbet ato, as bagëtitë e imta, as produktet bujqësore, askush nuk e humbet investimin. Por, shtëpinë do ta ketë buzë rrugës, afër qendrës shëndetësore, afër shkollës, me infrastrukturë, dhe afër Njësisë Administrative, në mënyrëqë qindra fëmijë të shpëtojnë nga varfëria dhe të kenë shansin ta përdorin këtë mundësi që na dha rindërtimi pas tërmetit, si një mundësi për të filluar një jetë të re dhe për t’i dhënë një hov të ri këtyre fëmijëve që meritojnë të kenë sukses dhe të ecin përpara si gjithë fëmijët e Tiranës”.
Erion Veliaj komentoi edhe procesin e nisur për të mundësuar votën e emigrantëve në këto zgjedhje. “E kemi ofruar një alternativë për votën e emigrantëve, KQZ-ja po e shqyrton. Jemi gati të pranojmë çdo gjë që thotë opozita. Nëse e duan me votim në ambasada, e bëjmë atje. Nëse e duan nëpër njësitë bashkiake, jemi gati ta pranojmë edhe atë. Nëse e duan me postë, e bëjmë me postë. Nëse e duan me celular apo me internet, apo e-albania. Edhe shokëve në emigrim t’u themi që s’i kemi harruar premtimet. Na duhet që pala tjetër të bjerë dakord, si të duan ata. Ne nuk kemi frikë nga votat. Njerëzit votojnë për atë që shohin, kush punon shpërblehet”.