Aktore e teatrit, kinemasë dhe show-t, Marjana Kondi është gjithmonë në karakterin e duhur për të rrëmbyer vëmendjen, zemrat apo të qeshurat e publikut.
Në këtë intervistë për Panorama Plus, Marjana pasi ka mposhtur Covid-19 rrëfen eksperiencën në të njëjtin sheshxhirim me Kryeministrin, Edi Rama, në filmin I love Tropoja, ç’i tha bashkëshorti pasi e përmendi në Stand up comedy-në e saj, dhe rikthimin në ekran, si pjesë e show-t “Binjakët” me Romeo e Donald Veshajn…
E nisim këtë intervistë me një pyetje si për jetën meqenëse hyn te personat që e mposhtën Covid19. E ke kuptuar tashmë se çfarë vlen më shumë në jetë dhe për çfarë nuk ia vlen të mërzitesh?
Mariana Kondi: Në jetë ne e themi se shëndeti vlen pa diskutim, por dalin probleme plot e harrojmë se shëndeti ka vlerë! Njeriu është i vdekshëm, por qofshin me rradhë! Covid-in e kalova lehtë. Ndaj për Vitin e Ri 2021 duhet t’i kërkojmë falje shpirtit, që e mundojmë kaq shumë!
Do ta kuptosh kur të rritesh!, ishte Stand up Comedy me skenar të Erand Sojlit dhe regji të Elkjana Gjipalit, që e vure në skenë këtë vit pandemie? Si lindi ky projekt, një gjini që në Shqipëri e kanë provuar më së shumti meshkujt?
Mariana Kondi: Shumë kohë kisha që mendoja për stand up-in, dhe mezi po prisja të dilja në skenë! Erandi më dha skenarin, e pëlqeva shumë! Elkiana Gjipali, regjizorja tepër inteligjente punoi me mua me një lloj stili shumë elegant, dhe unë për pak e lashë (nuk e di pse), por nuk e la ajo, dhe pa kuptuar doli shfaqja. Një bashkëpunim me vlerë, modern dhe komod! Bukur ku je me njerëzit e duhur! Nuk do harroj diamantin Alba Hoxha, dhe Herion Mustafarajn që i dhanë lezet stand up-it!
Ti vetë çfarë kuptove kur u rrite nga koha e diktaturës?
Mariana Kondi: Kuptova që të mirët dhe të këqijtë janë njësoj në çdo sistem!
Nëse do të të duhej të zgjidhje mes Herion Mustafarajt dhe Erand Soljit për të qëndruar në një ishull, cilin prej tyre do të merrje me vete dhe si do ta kalonit kohën?
Mariana Kondi: Të dy janë persona me të cilët nuk ka nevojë të shkosh në ishull, sepse sillen njësoj kudo ku janë! Erandi është pak më i çmendur se Herioni! (Qesh)
Pjesë të rrëfimit në ‘Stand up comedy” ke bërë edhe bashkëshortin. Si reagoi dhe ç’të tha pasi ndoqi shfaqjen?
Mariana Kondi: Bashkëshorti më tha: ”Pse nuk i tregove të gjitha?!”.
E tani të shohim në ekran në show-n “Binjakët” me vëllezërit Romeo dhe Donald Veshaj. Keni kimi, dhe si lindin situatat e tua të humorit pranë tyre?
Mariana Kondi: Fillimisht nuk u jepja përgjigje, sepse ata flasin me plan të dytë. Por tashmë i kuptoj. Janë djem të zgjuar dhe shumë punëtorë, ata vetëm punojnë. Njëri pikturon bukur, tjetri ka karakter në interpretim, por ky që pikturon edhe shkruan. Pra punojnë dhe janë korrektë e mendoj që kjo është vlerë. Sa për kiminë mes nesh, mendoj që është pak herët për kimi! Por fakti që kuptohemi, besoj kemi kimi!
Nga koha kur ke qenë pjesë e “Portokallisë” deri te “Binjakët”, çfarë është perfeksionuar në mënyrën si ti bën humor skenik?
Mariana Kondi: Koha e “Portokallisë”? Them se kam qenë me fat! Vija me role karakteri, gjë që i bën mirë show-t. Nga ai moment e deri tani që po flasim janë bërë pa fund role; drama, komedi e filma. Psikologjikisht dhe profesionalisht piqesh dhe bëhesh zonjë skene! Pra me talent e sharm, respekt dhe dashuri nga publiku, ndjehem me fat dhe e lumtur ndër vite! (Por lumturia shumë e vështirë të vijë tek artisti!).
Ekziston një stereotip se janë të rralla femrat që dinë të bëjnë humor. Ti çfarë mendon kur dëgjon një frazë të tillë dhe a mund të përmendësh emra aktorësh që vërtet të bëjnë ty për të qeshur?
Mariana Kondi: Po, janë të rralla femrat që bëjnë humor, por ne kemi. Roza Anagnosti, e cila luan dhe dramën dhe komedinë, Robert Ndrenikën apo Zyliha Milotin, e të ndjerin Roland Trebickën. Nga të rejat do përmendja Olta Dakun, ku humori i tyre është i saktë. Këtu përgëzoj aktorët e “Portokallisë” dhe të “Klanifornias” për punën e tyre. Ndërkohë veçoj Koço Devolen dhe Vasillaq Vangjelin (Keqardhje që nuk jetojnë!).
Ndalojmë te rolet e tua në kinema dhe pikërisht tek ai i fundit “I love Tropoja”. Si ishte të hyje nën lëkurën e gruas tropojane, robinë të zakoneve?
Mariana Kondi: Ermal Mamaqin e dua shumë dhe kemi kimi sa të duash (qesh)! Nuk di nga t’ia nis me atë film! Profesionalizëm dhe punë, përshtatje dhe tipa karakteresh ku ne punonim për realizimin e figurës dhe këtë unë e kisha se duhej të futesha nën robën e malësores së zgjuar! Bashkëshorti im në film, Bruno Shllaku, më mësonte të flisja nga Veriu dhe Ermali miratonte, ndërsa gjendja ishte e imja! Kur nuk xhironim pamë Tropojën, Valbonën e bukur, njerëz bujarë, të ftohtë nga pamja, por fisnikë brenda shpirtit të tyre. Të heshtur dhe të zgjuar!
Të ishit në sheshxhirim apo në dasmën e vajzës suaj me krushk, Edi Rama në rol si ishte? Çfarë komenti mund t’i bëje Kryeministrit sa i përket aftësisë aktoriale?
Mariana Kondi: Pashë se Edi Rama e donte aktrimin, e pëlqente. Kishte goxha tekst dhe e kishte mësuar përmendësh, dhe nuk kënaqej me një dubël. Kërkonte sytë e Ermalit që të interpretonte më të mirën! “Jo, jo dhe një dubël tjetër…”, thoshte. I bukur ishte momenti kur ishim të gjithë, dhe duhej ta shihnim në sy. Aty unë mund të them se vihesha në siklet, sepse e shikoja jo si partner në rol, por si Kryeministër! (Qesh)
Po shembjen e Teatrit si e përjetove, duke qenë se nga ajo godinë ke eksperiencën e hidhur të pushimit nga puna?
Mariana Kondi: Në fakt, nuk u ngrit njeri, kur u largova nga puna! Asnjë femër nuk foli për një femër, që po largohej nga puna! Fisnikërinë e tyre do tregonin, aaaa po nuk kishte zonja të tilla në Teatrin, që njihet me këtë fjalë të madhe “Tempull”… Por unë jam me fat, se ishte Vera Grabocka që më bëri të harroja gjithçka në krah të Erand Sojlit! Së bashku me Alketa Vejsiun, për katër muaj të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin shijuan dancin mes meje dhe Erandit. Faleminderit Grabocka, një urim nga familja Anamali! Lumturi paç pa fund bashkë me profesor Timo Fllokon e të dashurit e tu!
Protesta për Teatrin u pasua nga një tjetër pas vrasjes nga një efektiv policie të 25-vjeçarit, Klodian Rasha. Si e përjetove këtë protestë si një artiste me ndikim?
Mariana Kondi: Unë këtë protestë dhe në përgjithësi protestat i shoh si emanicipim shoqëror, që rinia nuk rri indiferente ndaj jetës që është më e rëndësishmja. Për mendimin tim, sensibilizimi i lartë ka të bëjë me pasigurinë, e jo vetëm me dhemshurinë. Ishte një protestë e paorganizuar të rinjsh dhe kjo ishte shumë mirë, pasi po të përfshihej politika, do të bënte gabim. Aspekti negativ është se duke qenë e tillë vihej re mungesa e organizimit dhe rrëmuja, por me qëllimin që kishte është e justifikuar si e tillë.
Si një e pasionuar pas motorëve, a mund të na rendisësh disa personazhe të njohura me të cilët do të doje të viheshit në garë në një udhëtim të çmendur aventuresk?
Mariana Kondi: Garat me motora më japin emocion! I kam larguar nga shikimi apo ekrani të gjitha sportet që kanë emocion, madje dhe garat me kuaj apo me qen. Vdes për to! Shoh vetëm Marin Memën, gazetar absolut që e do vendin e tij, emisionet e Grabockës, në teatër të gjitha pjesët që vihen nga kolegët e mi, dhe u jap dorën në fund të shfaqjes!
Duke qenë se provove show-n e kërcimit në spektaklin e Vera Grabockës, siç thatë më sipër, me cilin person doje të mbyllje sytë e të kërceje “Dance me to the end of Love” të Leonard Cohen dhe me cilin “Dirty Dancing”?
Mariana Kondi: Përsa i përket kërcimit, unë i mbyll sytë dhe dua Erand Sojlin! /Panoramaplus.al/