Nga Skënder Minxhozi/
Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi në Beograd se Rusia dhe Serbia po mendonin të nisnin një bashkëpunim në shkallë të gjerë, për realizimin dhe prodhimin e vaksinës ruse “Sputnik 5” në territorin serb. Bëhet fjalë për vaksinën e prodhuar nga instituti rus Gamaleya, me efektivitet të deklaruar prej 91.4%, e cila po injektohet masivisht në popullatën ruse prej disa javësh. Nga Bjellorusia në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga Hungaria në Indi, qeveritë e vendeve respektive kanë plane të fillojnë fushata masive vaksinimi me Sputnik 5. Në anën tjetër të globit, një tjetër vaksinë “alternative”, nga ato që nuk kanë vulën dhe lejen e Perëndimit, po kërkon të sfidojë kohën dhe konkurencën. Vaksina kineze e kompanisë Sinopharm, me normë efikasiteti 86%, prej 9 dhjetorit injektohet me leje të plotë përdorimi në të gjithë popullatën e pasur të Emirateve të Bashkuara Arabe. Pak ditë më vonë, një shtet tjetër i pasur me naftë, Bahreini, dha të njëjtën leje përdorimi. Nga Maroku në Peru, kjo vaksinë është testuar prej muajsh nga mijëra njerëz, pa harruar faktin më të rëndësishëm: qeveria kineze pranoi që me vaksinën në fjalë të injektohen një milion banorë të Kinës. “Pa asnjë rast të vetëm komplikacioni”, do të deklaronte më vonë me mburrje kreu i kompanisë Sinopharm Liu Jingzhen.
Kaq për anën dokumentare, pasi nebuloza e vaksinave anti-Covid që sot janë në eksperimentim e sipër, shkon në mbi njëqind të tilla. Gara kundër kohës ka marrë përmasa botërore, qyshse në fillim të këtij viti drama e nisur në Wuhan, është tashmë një tragjedi me përmasat e planetit ku jetojmë. Nuk ka asnjë cep të globit ku Covid nuk ka detyruar mbyllje të ekonomive, vendosje maskash në popullsinë civile, ndryshim rrënjësor të zakoneve e sjelljeve të jetës së përditshme, ku nuk ka marrë jetë të pafajshme, sidomos në moshat e dyta dhe të treta. Ethet e vaksinës janë moda e ditës. Lajmet për testimet, lejet e përdorimit, efektet anësore dhe nisjen e fushatave të injektimit, janë më të kërkuarat. Janë vaksinat dhuratat e festave, që shumëkush do të donte të gjente poshtë pemës së Vitit të Ri. Edhe ne shqiptarët jemi pjesë e kësaj pritjeje të mbushur me ankth. Natyrisht flitet për ata që nuk mendojnë se toka është e sheshtë, se Edi Rama është i klonuar dhe se vaksina do të sjellë sterilitet dhe ndryshim të seksit të atyre që do e marrin. Enigma rreth nisjes së fushatës së vaksnimit në Evropë, e më konkretisht në Ballkanin Perëndimor, e shumë më konkretisht në Shqipëri, është jo vetëm një sport kombëtar diskutimi e debatesh, por edhe një argument therës që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin publik.
Kur do të vaksinohen shqiptarët? Qeveria duket se e ka një përgjigje, por ajo nuk kënaq thuajse askënd: në tre muajt e parë të vitit! Kur britanikët, rusët, arabët, kinezët e së fundi edhe amerikanët, po e ndjejnë tashmë në krah pickimin magjik të vaksinës, ne dhe nja gjashtë miliard të tjerë si ne, nuk dimë ende asgjë të saktë për fatin tonë. Nuk jemi në shoqëri të keqe, pasi jemi vërtetë shumë. Por kur vjen puna te shëndeti, gjithsecili kërkon të jetë më i pari, pavarësisht parimeve, barrierave e shkallës së pasurisë. Ndërkohë që vendet e pasura kanë prenotuar vaksina për t’u vaksinuar nga tre apo katër herë “me kuç e me maç”, ne të tjerët duhet të ngrohemi në zjarrin anemik të OBSH, me programin Covax, që premton të sjellë vaksina…s’dihet se kur!
Në këto kushte, disa shtete, përfshirë fqinjët serbë, apo pak më lart hungarezët, e më larg akoma vendet milionere të Gjirit Persik, po kërkojnë prej muajsh zgjidhje alternative. Sputnik 5 apo Sinopharm janë dy opsione konkrete, në një kaos botëror ku s’ka garanci për asgjë dhe ku koha nuk lejon as testime shterruese, as standarte matematikisht të pakundërshtueshme. Nuk ka asnjë deklarim zyrtar që qeveria jonë të ketë hedhur ndonjë hap të ngjashëm, drejt vaksinave të vendeve joperëndimore. Jemi ulur në stacionin e trenit që vjen nga Londra e Uashingtoni, por asnjë tren nuk duket në horizont! A duhet edhe ne t’i qëndrojmë “idologjikisht” garës së vaksinave? Me fjalë të tjera, a duhet të fokusohemi vetëm tek vaksinat perëndimore, duke shpërfillur ato lindore?! A duhet të presim që një nga shtetet fqinje të hedhë dashamirësisht një parti dozash që do të ndezin, më shumë sesa do të zgjidhin, nevojën e popullsisë për t’u vaksinuar? Apo që Brukseli të ndërmarrë ndonjë fushatë makijazhi, duke dërguar pak doza për vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u lënë “takim” më pas në hyrje të pranverës, atehere kur SHBA dhe Evropa e pasur do të kenë vaksinuar mjaftueshëm njerëz?!
Situatat unike kërkojnë sjellje unike. Askush nuk mund të paragjykojë askënd që do të jetojë, duke i ikur vde kjes. Instikti parësor është të mbetesh gjallë. Dhe kjo përfshin edhe faktin që shpëtimin duhet ta kërkosh në çdo meridian e paralel të globit. Ajo që sot dëgjojmë deri në ankth, është që për muajt e parë, nuk do të ketë vaksina për të gjithë (kupto, për vendet e varfëra kryesisht!). Kjo do të thotë se do të duhet të durojmë buletinet e përditshme plot të sëmurë e të vdekur, ndërkohë që pranë nesh, evropianët do të kenë me patjetër një fat më të mirë se i yni. Kjo është pak, por është e sigurt.
Në këto kushte, nëse ka një mundësi që qeveria të kontaktojë palë të treta që mund të ofrojnë vaksinat e tyre, rusë, kinezë apo kushdo tjetër, është luks i tepruar që kjo mundësi të shpërfillet. Sado të shtrembërojmë buzët e të hiqemi pro-perëndimorë, as Emiratet, as Hungaria e as Serbia fqinje apo të tjerë nëpër botë, nuk janë më të këqinj se ne, që trokasin në dyert e Rusisë e Kinës për vaksina. Dy kombe që në fushën e mjekësisë nuk kanë pse t’i kenë zili askujt. Shpëtimi nga pandemia nuk ka pse të ketë me domosdo një targë dhe një diçiturë perëndimore. Ai mund të jetë një zgjidhje e alternuar, ku të marrin pjesë shumë faktorë. Shëndeti është nocion universal dhe si i tillë duhet trajtuar edhe në kohë qameti. Sidomos në këtë kohë qameti!