Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në të gjithë vendin si pjesë e Taskforcës antiCovid dhe ka kryer 561 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin. Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 21 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD. Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 51 mostra në monitorim të produktit qumësht dhe të fruta-perimeve.

Gjithashtu me kërkesë të vetë subjektit janë asgjësuar rreth 19.2 tonë produkte ushqimore. Në zbatim të Urdhrit nr. 28 datë 21.10.2020 “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të Taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 244 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Referuar respektimit te protokolleve te sigurisë antiCovid, gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i maskave.