Nga Alba Malltezi/

Mos mbani maskë! Hajde përqafohemi! E pijmë një kafe të gjithë bashkë! Covid nuk ekziston! Mos u besoni mjekëve se e kanë biznes! Mblidhemi! Festojmë! Do marr pjesë patjetër në funeral! Nuk na bën gjë Covid, jemi shqiptarë! Na pëlqejnë këto shprehje apo jo? Na përkëdhelin sedrën. Na e bëjnë zemrën mal. Sa të mirë janë këta që na i thonë. Babaxhanë. Zotërinj burra e zonja gra. Rob Zoti, do të shprehej dikush. Por ndërkohë njerëz të dashur vazhdojnë të vdesin përditë e nuk do të kthehen dot më. Asnjë lavdërim nuk do të kthejë një motër, vëlla, baba, koleg, mik, shok që Covid e merr siç po ndodh. Janë kohë të vështira pandemie dhe të gjithë duhet të bëjmë një zgjedhje të vështirë: të dëgjojmë dhe respektojmë atë që na kritikon. Mund të jetë një kritikë e bezdisshme, por është një kritikë që na shpëton.

Sigurisht, nuk është aspak “popullore” të mos kalosh ditët nëpër kafe duke bërë muhabet në grup e duke u përqafuar, gëzuar plot hare e miqësisht me kë duam e na do, por duhet të kuptojmë se luajmë me jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Pas çdo vdekjeje është një moment, një individ, një situatë që është krijuar dhe ka infektuar një njeri të dashur që nuk është më. Sa vlen një fjalë e mirë kur njeriu nuk jeton? Nuk kthehet më. Përgjithmonë! Duhet të dëgjojmë e falenderojmë mjekët që u lodhën duke na e kujtuar e duke na thënë: Kujdes! Kujdes! Kujdes!