Javën e fundit Shqipëria ka shënuar një numër të ulët të shtrimeve në spitalet Covid, si edhe të numrit të të infektuarve. Në një intervistë për Televizionin Klan, anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Skënder Brataj, thotë se numri i pacientëve që dalin nga spitale është tashmë më i lartë se ai i të shtruarve ditorë. “Për fatin e mirë numri i të shtruarve në spital po bie në muajin Nëntor se patëm një indeks që është 5 ose 6. Në Dhjetor, kjo shifër ka shkuar në negative, pra më shumë dalin se sa hyjnë, i bie jemi tek -2, -3”, tha Brataj.
Po ashtu pacientët e prekur nga Covid po qëndrojnë më pak ditë në spital. “Kemi pasur një mesatare në periudhën e parë 12-14 ditë, ndërsa tani jemi poshtë 10 ditëshit, ose 5-7 ditë”, u shpreh kreu i Urgjencës Kombëtare.
Por cilët janë faktorët që po shënojnë këtë ulje të numrit të të shtruarve në spital? “Janë prekur edhe mosha të reja kohët e fundit, nën 60 vjeç, të cilët edhe kur shtrohen në spital, ditë-qëndrimi i tyre është më i lartë. Po ashtu edhe personat me moshë më të madhe vijnë në spital, kur përkeqësohen”, theksoi Brataj. Pas disa muajsh, e mërkura shënoi edhe shifrën më të ulët të vdekjeve ditore në spitale me 6 raste. Nga sot në vend hyjnë në fuqi edhe masat e reja kufizuese duke zgjeruar kufizimin e lëvizjes së qytetarëve prej orës 20:30.
“Në datë 4 Janar do të bëhet vlerësimi. Nëse nuk do të ketë ndryshim indikatorësh do të spostohet orari”. Ekspertët thonë se ulja e kurbës së të infektuarve dhe atyre të shtruarve në spital janë rezultat i masave të marra tre-katër javë më parë.