Fermerët dhe agrobiznesi kanë nisur tashmë prej datës 10 dhjetor 2020 dhe do të vijojnë deri më 25 janar 2021, aplikimet në thirrjen e tretë të Programit IPARD II, për të përfituar grante deri në 70% të vlerës së investimit për Masa 1: “Investimet në asete fizike në fermat bujqësore” në sektorët; qumësht; mish; fruta – perime; vresht dhe Masa 3: ”Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” vetëm në sektorin e përpunimit të frutave dhe perimeve. Frida Krifca, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, tha se, buxheti total për thirrjen e tretë është 29.1 milionë euro. Për masën 1, investimet fillojnë nga 10 mijë euro deri në 5 mijë euro ku IPARD II, mbulon 70% të investimit.
Për masën 3, investimet fillojnë nga 25 mijë euro deri në 2 milionë euro me 50% grand të financuar nga projekti. Krifca shprehet se AZHBR mirëpret projekte konkurruese të cilat nxisin zhvillimin rural, zhvillimin e fermave, teknologjive në përpunim me qëllim që prodhimet shqiptare të shkojnë me standarde në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë por edhe për eksport. Ndërkohë IPARD është programi më i madhe financiar në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit të agroindustrisë në Shqipëri me vlerë totale 94 milionë euro.
Nga 600 aplikime në total në programin IPARD, rreth 175 aplikime kanë qenë për sektorin e agro-përpunimit ku përmes programit IPARD mbulohet 50% dhe pjesa tjetër mbulohet nga vetë biznesi. “Duke përfshirë të gjithë investimet në këtë sektor, për 23 muaj punë janë lidhur rreth 229 kontrata me një vlerë investimi prej 67 milionë euro për investime sipas standarteve evropiane”- shprehet Krifca. Sipas saj, në agro-përpunim janë dhënë 48 milionë euro investime prej të cilave 21.4 janë grante, të cilat monitorohen shumë shpesh në terren për ecurinë. Pavarësisht situatës shkaktuar nga Covid19, investitorët po përgjigjen mjaft mirë dhe brenda vitit pritet një përthithje e lartë e fondeve.
“AZHBR-ja po bashkërendon punën me sektorin bankar në mënyrë që financimi i agro-përpunuesve të vijë sa më shpejt pasi pa këto financime nuk do arrihet të bëhet edhe përthithja e fondeve. Në këtë konteks, një propozim që i është drejtuar edhe ministres Denaj është që bankat të mund të marrin si kolateral edhe kontratën e investitorit me AZHBR, duke i hapur rrugë investimeve të reja në këtë sektor”- tha Krifca.