Teksa foli nga kantieri i rilindjes së Laçit pas tërmetit, sa i takon realizimit të një lagjeje të re në qytet, ku zona më e madhe e saj, saktësisht zona 1 është e financuar nga qeveria turke, kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se priten një sërë ndërtimesh, çka premton ndryshimin e pamjes së qytetit.
“Është një projekt që vjen si shprehje respekti për territorin, një projekt që vjen me parametra urbanë miqësorë me territorin dhe projekt që merr në konsideratë elementë tradicionale të përkthyer në arkitekturë bashkëkohore. Ndërkohë kemi vijuar punën për rrjetin e shkollave, të cilat do të rilindin nga fillimi sepse të vjetrat praktikisht nuk ekzistojnë më, janë në proces nisjeje 9 objekte të tjera arsimore. Nis puna për banesat individuale dhe është në proces edhe puna për përforcimet e 170 pallateve për 1500 familje me grantet sipas nivele të dëmeve të dhëna nga qeveria shqiptare”, tha Rama.
Më tej shtoi:
“Do kemi një qendër të re, do ndërtohet godina e re e bashkisë, një tjetër shkollë e re këtu pranë, do ndërtohet spitali i ri, ku puna tanimë është në proces dhe do të kemi një pamje krejt të re. Me krytarin e bashkisë po punojmë edhe për transformimin e rrugës drejt kishës, që me siguri i shërben rritjes së mëtejshme të këtij qyteti për të mirëpritur njerëzit e shumtë”.