Me një numër vaksinash të mundshme për Covid-19 që po afrohen tani, ka shqetësime në rritje se keqinformimi në internet mund të kthejë disa njerëz kundër imunizimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se bota jo vetëm që lufton pandeminë, por edhe atë që ajo e quan një infodemike – ku një mbingarkesë e informacionit, disa prej të cilave të rreme, e bën të vështirë për njerëzit të marrin vendime për shëndetin e tyre. Qeveritë dhe mediat sociale deri tani nuk kanë arritur të vënën nën kontroll këtë fenomen. Një pjesë e problemit, sipas BBC-së, është se informacioni në lidhje me pandeminë shfaqet i fragmentarizuar ndërsa shkencëtarët po bëjnë zbulime të reja në lidhje me koronavirusin dhe mënyrën e trajtimit më të mirë të tij. Një nga ndikimet më të mëdha sipas mediave ndërkombëtare është edhe ulja e shkallës së besimit të qytetarëve tek vaksina.

Nina, e cila është 21 vjeç dhe jeton në Londër me gjyshen e saj 82-vjeçare, është një nga ato që ka shqetësime. Ajo thotë se ka ndjenja të përziera në lidhje me vaksinat Covid. Në një sondazh në Mbretërinë e Bashkuar, 54 për qind e të anketuarve patën deklaruar më parë se do të vaksinoheshin pa dyshim, por ky numër u zvogëlua me 6 për qind, pasi u shfaqën dhe u publikuan pretendime të pasakta në lidhje me sigurinë e vaksinave. Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Francesco Rocca, ngriti alarmin se lajmet e rreme rreth vaksinave COVID-19 po shndërrohen në një “pandemi të dytë” dhe se qeveritë dhe institucionet duhet të fillojnë të ndërtojnë besimin në komunitet për vaksinim, dhe kjo sipas tij vlen për të gjithë botën. Ndërkohë që theksoi se në një të katërtën e vendeve, studimi zbuloi se shkalla e pranimit të vaksinës kundër koronavirusit është afër ose nën 50 për qind, ndërsa ajo ra nga 70 në 50 për qind në Japoni dhe nga 51 në 38 për qind në Francë.

Teoritë e konspiracionit kanë edhe ato ndikimin e tyre mbi qytetarët, pasi shumë synojnë ta përcjellin atë si një mbulesë për të vendosur forma të ndryshme të kontrollit të shtetit dhe filantropëve mbi popullsinë. Një tekst me teori konspirative në lidhje me vaksinat e reja ngre akuza në lidhje me riprogramimin e ADN-së, ndërsa një tjetër pretendon se jo vetëm që marrësi i vaksinës do të etiketohet si bagëti, por nanopjesëzat do të injektohen për ta bërë atë një antenë perfekt për frekuenca 5G. E treta përsërit narrativën e pabazuar që nga fillimi i pandemisë se Bill Gates e ka krijuar koronavirusin në mënyrë që të impononte vaksinimin e detyrueshëm. Ndërkohë që edhe mediat sociale pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nuk kanë arritur të vënë nën kontroll përhapjen e materialeve keqinformuese.