Në një kohë ku vendet evropiane po përgatiten për fillimin e vaksinimit për grupet e rrezikuara Austria, Skocia dhe Irlanda e Veriut nga dita e sotme filluan respektimin e masave të reja kufizuese.
Pas një lehtësimi të masave gjatë Krishtlindjes, një shtetrrethim i përgjithshëm hyri në fuqi sot në në Austri i cili do të zgjasë deri në 24 Janar. Ndërkohë, masa më të rrepta hynë në fuqi në Skoci dhe Irlandën e Veriut, duke përfshirë mbylljen e bizneseve “jo thelbësore” dhe kufizimet e takimeve.
Bllokimi i vendosur në pjesë të Anglisë që nga 20 dhjetori u shtri në zona të reja të Anglisë lindore dhe jug-lindore. Uells u zgjua me kufizime më të rrepta të Shtunën pasi i lehtësoi për Krishtlindje.
Në Irlandë dhe Itali, masat e reja filluan para Krishtlindjeve në një përpjekje për të parandaluar infeksione të mëtejshme gjatë festave.
Vendet e BE janë të gatshme të administrojnë dozat e tyre të para të një vaksine COVID-19 të Dielën, me punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe banorët e shtëpive të të moshuarve ndër të parët që marrin vaksinat e para.
Dorëzimet e para filluan të mbërrinin në vendet e BE të Shtunën, me secilin shtet anëtar që mori afërsisht 10,000 doza për këtë grup fillestar. Brukseli më parë tha që vendeve anëtare do t’u ndahen doza bazuar në madhësinë e tyre të popullsisë.
Disa orë para se të mbërrinin dozat e para të vaksinës në Francë, autoritetet shëndetësore franceze konfirmuan rastin e parë të vendit të variantit të koronavirusit që nxiti masa të reja izoluese në Britani. Dozat e para të vaksinës Covid-19 të zhvilluara nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech u dërguan sot pak para orës 7 të mëngjesit në farmacinë qendrore të Spitaleve të Parisit (Hôpitaux de Paris), në një periferi të kryeqytetit francez. Vaksinat e para do të bëhen në dy shtëpi të moshuarish.
Britania e Madhe u bë vendi i parë në botë që administroi një vaksinë kundër COVID-19 në fillim të këtij muaji.