Duke filluar nga e hëna, qeveria amerikane do të kërkojë që të gjithë pasagjerët e linjave ajrore që nisen nga Mbretëria e Bashkuar të testohen për koronavirus 72 orë para nisjes. Analizat paraprake në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se një variant i ri i virusit i shfaqur atje mund të jetë 70 për qind më ngjitës se variantet e mëparshme. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë përmes një deklarate se të të gjithë udhëtarët e linjave ajrore që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar duhet të testojnë negativë për koronavirusin, në mënyrë që të mund të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara.
Fillimisht, administrata amerikane u tha kompanive ajrore amerikane të martën se nuk planifikonte të kërkonte ndonjë test për pasagjerët që vinin nga Britania. Por planet kanë ndryshuar. Vendimi pason shfaqjen e një varianti të ri shumë infektiv të koronavirusit në Britani, çfarë ka nxitur shumë vende të mbyllin kufijtë e tyre me Mbretërinë e Bashkuar. Më herët të enjten, kompanitë ajrore amerikane United dhe Delta thanë se po u kërkonin të gjithë pasagjerëve që udhëtonin nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shteteve të Bashkuara që të provonin se kishin rezultuar negativë për koronavirus nga një test i kryer brenda 72 orësh para nisjes.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë se pasagjerët duhet të rezultojnë negativë përmes testeve të kryera me tampon ose antigjen. CDC tha se “viruset ndryshojnë përmes mutacioneve, dhe analizat paraprake në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se varianti i ri mund të jetë 70% më infektues se variantet e mëparshme”. CDC theksoi se në mars Presidenti Donald Trump pezulloi hyrjen e pothuajse të gjithë shtetasve të huaj që kishin qëndruar në Mbretërinë e Bashkuara gjatë 14 ditëve të fundit, duke ulur me 90% udhëtimet ajrore nga Britania për në Shtetet e Bashkuara. Sipas rregullave të reja, pasagjerët që nisen nga Britania drejt Shteteve të Bashkuara duhet t’i tregojnë kompanisë ajrore dokumentacionin me shkrim të rezultatit nga testet laboratorike (çertifikatë në dorë ose elektronike). CDC tha se urdhëri do të nënshkruhet të premten dhe do të hyjë në fuqi të hënën.