Familjet të cilat mbetën pa shtëpi si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të një viti më parë, po kthehen në banesat e tyre të rindërtuara Në disa bashki të vendit vazhdon kthimi në shtëpitë e reja i familjeve të prekura nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video me disa momente kur ka shpërndarë dokumentet e banesave të reja familjeve të dëmtuara nga tërmeti.
“MIRËMËNGJES, me disa nga shtëpitë që rilindëm pas tërmetit të 26 nëntorit, si edhe me përkushtimin për t’i kthyer sa më parë të gjithë në shtëpi të reja, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u dorëzoi familjeve në Xhafzotaj çelësat e banesave të reja antisizmike. Nga 567 banesa individuale që po ndërtohen në bashkinë e Shijakut, në njësinë administrative Xhafzotaj 40 familje hynë në shtëpitë e rindërtuara të cilët janë trajtuar me bonus qeraje që nga dita e parë e tërmetit.
Edhe në fshatrat përreth Tiranës, shtëpitë e reja po u dorëzohen njëra pas tjetrës banorëve, të cilët Viti i Ri 2021 do t’i gjejë të sistemuar me kushte komode në banesa shumë më të mëdha, më të sigurta e më të bukura se ato që humbën. Në Farkë, një prej zonave më të prekura të Tiranës nga tërmeti shkatërrimtar, Kryeministri Edi Rama u dorëzoi çelësat e shtëpive të reja, 4 prej familjeve që i humbën ato 1 vit më parë
Në këtë zonë, 48 shtëpi kanë përfunduar të gjitha dhe deri në datë 25 dhjetor përfundojnë të 60 shtëpitë. Rreth 400 familjeve do u dorëzohen brenda 31 dhjetorit çelësat e shtëpive të reja që po rindërtohen më të mëdha, më të forta e më të bukura se ato që humbën në tërmetin e vitit të shkuar.