Llogaria zyrtare e Sputnik V në Twitter si dhe një deklaratë zyrtare nga Fondi Rus i Investimeve Direkte njoftuan se Argjentina është vendi i parë në Amerikën Latine që miraton zyrtarisht vaksinën e tyre kundër Covid-19.

“Argjentina ishte vendi i parë në Amerikën Latine që regjistroi zyrtarisht Sputnik V. Vaksina u regjistrua nën procedurën e autorizimit të përdorimit emergjent dhe u miratua nga rregullatori, ANMAT, bazuar në rezultatet e provave klinike të Fazës III në Rusi, pa prova shtesë në Argjentina “, thuhej në deklaratën e RDIF. Sipas autoriteteve kjo konfirmon besimin e lartë në standardet rregullatore ruse dhe Sputnik V.

Ministri i Shëndetësisë i Argjentinës, Gines Gonzalez Garcia, njofoi se një fluturim i Aerolineas ka mbërritur në Moskë, ku do të marrë 300,000 dozat e para të vaksinës ruse. Me mbërritjen e tij në vend, do të fillojë një logjistikë që nuk është kryer kurrë më parë, për një shpërndarje federale dhe të drejtë në secilën prej provincave Argjentinase, shkroi ai në Twitter.