Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk i heqin nga goja oligarkët. Në shumë deklarata dhe konferenca shtypi nga selia e PD, vetë Basha dhe eksponentë të lartë të selisë blu kanë akuzuar me emra si oligarkë biznesmenë të ndryshëm shqiptarë. Njëri prej oligarkëve të cituar disa herë me emër dhe mbiemër nga Basha dhe PD është biznesmeni Shefqet Kastrati. Një vit më parë, Dorjan Teliti i PD e etiketonte Kastratin si oligarkun, që kishte marrë me PPP nga Edi Rama Rrugën e Kombit dhe se kur të vinte në pushtet do t’ia anulonte kontratën.
Por, për çudinë e të gjithëve, dje në mbrëmje, në emisionin “Log” në ABC Neës, Lulzim Basha e vlerësoi biznesmenin Shefqet Kastrati si bamirës, një njeri që po u ndërton shtëpi të prekurve nga tërmeti. Natyrshëm lind pyetja: Çfarë e ka shtyrë Lulzim Bashën të ndryshojë mendim për Kastratin, që dje e shndërroi nga oligark të Edi Ramës në bamirës? Ajo që dihet është se veç Kastratit, Lulzim Basha ka etiketuar si oligarkë edhe biznesmenë si Agron Papuli, por këtë të fundit nuk e përmend më që prej ditës kur mori një vilë në rezidencat “Long Hill”, që janë pronë e Papulit.