Kryeministri Edi Rama ishte sot në fshatin Derven të Krujës, ku pa nga afër vijimin e punimeve në shkollën dhe kopshtin “Kastrioti” që po bëhet gati, për 160 fëmijë dhe përfundon në fund të janarit 2021. I shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Rama inspektoi punimet që po kryhen në këtë godinë arsimore të cilat janë të standardeve europiane.
Kryeministri theksoi se “158 shkolla të reja me standarde europiane janë një përgjigje kuptimplotë, ndaj kujtdo që gjuan me gurë e me baltë mbi këtë qeveri që në 7 vjet e 3 muaj ka bërë më shumë për Shqipërinë që duam se sa të gjitha qeveritë e tjera bashkë”.
Ahmetaj informoi se shkolla ka 9 klasa për nxënësit dhe 3 klasa për parashkollorin dhe 3 ambiente laboratorike.
Po ashtu, Ministri theksoi se në këtë shkollë akomodohen 160 nxënës. “Punimet përfundojnë rreth datës 20 janar, pasi është një nga shkollat e lotit të fundit. Po ashtu vlen për t’u përmendur palestra e kësaj shkolle e konceptuar për të organizuar olimpiada”, tha ai.