Vaksina në Kosovë do të mbërrijnë në muajin prill. Sipas ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, qeveria e Kosovës është vonuar në këtë drejtim, por sidoqoftë, vetë ajo pret që përveç nga vaksinat e programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosova të sigurojë vaksina edhe nga disa shtete të Bashkimit Evropian.
“Mendoj që kemi vonesa. Shtetet e tjera të rajonit janë para nesh, prandaj ne duhet të kërkojmë përgjigje nga qeveria pse ne nuk jemi të përgatitur dhe pritet që, sipas të gjitha gjasave, vaksinat të vijnë pas prillit”, tha Osmani për gazetarët, pas një vizite në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Ndërkohë që vaksinat nga vendet e BE-së, do të mbërrijnë në Kosovë para prillit 2021. E pyetur për hyrjen e vaksinave kundër koronavirusit nga Serbia në komunat në veri, Osmani tha se kjo është shkelje e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja.
“Kjo jo vetëm që është shkelje flagrante e marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë procesit të dialogut dhe dëshmon se Serbia në atë proces është ushtruese dhe kurrë zbatuese e premtimeve që i jep. Por, në anën tjetër tregon edhe një mungesë përgatitjeje nga ana e institucioneve tona, në mënyrë që të gjithë qytetarët, në çdo cep të Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, të njoftohen se kur duhet t’i presin ata vaksinat nga institucionet shëndetësore të Kosovës”.
Pak ditë më parë presidenti serb Aleksandar Vuçic njoftoi se në komunat në veri të Kosovës janë dërguar vaksina të prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech. Organet e drejtësisë kanë nisur hetimet për të parë se si kanë hyrë këto doza të vaksinës në Kosovë, pasi më 26 dhjetor, Qeveria tha se nuk është njoftuar zyrtarisht për hyrjen e vaksinave në territorin e Kosovës.