Mbyllen me fitoret e ekipeve vendase tre takimet e para të javës së 11-të në Kategorinë Superiore. Vllaznia nuk u përmbajt ndaj Skënderbeut në “Loro Boriçi”, përballje që e fitoi 5-1. Ardit Hoxhaj ishte heroi i ekipit shkodran me 4 gola të realizuar. Demir Imeri kaloi kuqeblutë në avantazh pas 37 sekondave dhe më pas erdhi “pokeri” i sulmuesit vlonjat. Ganezi Mensah realizoi golin e nderit për skuadrën mike.

Suksesi i sotëm e ka ngjitur Vllazninë në kuotën e 25 pikëve, duke vazhduar të kryesojë e vetme Superioren. Laçi nuk ia del të vijojë ecurinë pozitive të tre ndeshjeve të fundit.

Bardhezinjtë humbën 1-0 në Kamzë ndaj Kastriotit vendas. Trepikësh fantastik për djemtë e Ramazan Ndreut, që iu falën rrjetës së laçianit Indrit Prodani në mesin e pjesës së parë.

Miqtë kishin një shans të shkëlqyer për të barazuar rezultatin në minutën e 31-të, por Redon Xhixha gaboi nga pika e penalltisë. Feston edhe Bylis. Ekipi ballshiot mposhti 3-1 në fushë Apoloninë e vendit të fundit. Vendasit iu falën dygolëshit të Anthony dhe golit të bukur të Andi Hadrojt, teksa fierakët gjetën rrjetën falë autogolit të Ymeralilajt.