Kur politika shndërrohet në ideologji që deformon historinë duke keqpërdorur fenë për interesa elektorale dhe sunduese, atëherë bën vaki kjo: sundimtari e shndërron një kishë ortodokse në “xhami”.

Këtë e bëri presidenti turk Erdoan në korrik 2019 me kishën-muze Aja Sofia në Stamboll. Me pompozitet u ftuan besimtarët për të falur namazin në objektin ortodoks, që Ataturku i mençur e kishte shndërruar në muze dhe nuk e kishte lënë të jetë “xhami” siç kishin vendosur osmanët.

Para se besimtarët që i besojnë Erdoanit dhe Kuranit të hynin në “xhaminë” Aja Sofia, argatët e pushtetit u kujdesën që të mbulohen me çarçafë mozaikët e krishterë: sundimtarët Konstantinin, Justinianin dhe Leonin e Urtë me Jezu Krishtin dhe Virgjëreshën e Bekuar Mari. Myslimani i vërtetë i hazreti Erdoanit s’kishte si t’i falej Allahut para grumbullit të figurave të krishtera.

Tani, befas, çarçafët që mbulonin Konstantinin, Justinianin dhe Leonin e Urtë me Jezu Krishtin dhe Virgjëreshën e Bekuar Mari janë hequr. Me sa duket edhe argatët e Erdoanit e kanë kuptuar se historia s’mund të mbulohet me çarçafë.

Ndërkohë UNESCO ka kërkuar nga qeveria turke të lejojë një inspektim të pjesës historike të Stambollit, e cila nga viti 1985 gjendet në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Inspektimin pritet ta bëjë arkeologu algjerian Mounir Bouchenaki.

Përveç Aja Sofisë pushteti i Erdoanit e kishte ndërmend ta shndërrojë në xhami edhe kishën ortodokse Chora, po ashtu mjaft të pasur me mozaikë dhe freska bizantine.

Ceremonia qe paraparë për fund të tetorit, bashkë me faljen e xhumasë. Por njëherë për njëherë Erdoan e ka ndaluar faljen e xhumasë në kishën Chora.(E.R)