Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer gjatë ditës së sotme 530 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin në zbatim të planit të punës, por edhe si pjesë e Taskforcës antiCovid.

“Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 25 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD”, bëri të ditur AKU.

Referuar planit të marrjes së mostrave, AKU informoi se janë marrë 49 mostra në monitorim të produktit qumësht, të bukës dhe të fruta-perimeve.

Në zbatim të urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të Taskforcës anti COVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 331 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Referuar respektimit të protokolleve të sigurisë antiCovid, gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i maskave.