Dashi Ju presin surpriza të bukura në këtë fund viti. Me mbështetjen e binomit Mars-Venus, të lindurit në shenjën e Dashit do të mbeten të befasuar nga një person i dashur, i cili papritmas do t’ju shfaqë dashurinë, duke ju dhuruar shumë kënaqësi. Me siguri që pas këmbimit të dhuratave për festa do të merrni një dhuratë tjetër akoma më të rëndësishme me një vlerë të madhe shpirtërore. Shenjës suaj për këtë javë i takon vendi i katërt.

Demi Tani më shumë se kurrë do të dalë në pah aftësia juaj organizuese. Do ta merrni gjithçka shumë seriozisht, aq sa do të organizoni çdo aktivitet që do të bëni së bashku me partnerin edhe me fëmijët. Edhe pse ata në fillim do të shfaqin shenja rebelimi, për shkak se nuk u pëlqen imponimi, në fund do të ndiheni të shpërblyer. Këtë javë do të renditeni në vend të pestë.

Binjakët Me siguri që gjatë këtyre ditëve festive, ju që i përkisni shenjës së Binjakëve do të takoheni me një të njohurin tuaj të vjetër, me të cilin nuk jeni ndarë mirë. Natyrshëm do t’ju vijë dëshira që të bëni paqe me të. Por megjithatë, sapo të keni hyrë sërish në muhabet me të, do të kujtoheni dhe një herë për arsyet që ju ndanë. Shenja juaj do të kalojë në vend të shtatë për këtë javë.

Gaforrja Edhe pse në prag festash, nuk pritet që kjo të jetë një javë e mbarë për të lindurit në shenjën e Gaforres. Dielli dhe Hëna në pozicion të pafavorshëm do të ndikojnë që të bëheni shkaktarë për zënka me këdo që do të rastisë. Mundohuni ta përmbani nervozizmin, pasi kështu nuk do të mund t’i shijoni këto ditë të fundit të vitit. Vendi i 11-të për ju këtë herë.

Luani Kjo do të jetë një javë e mbarë për të lindurit në shenjën e Luanit. Hëna do të ndriçojë në shenjën tuaj, duke e bërë më të bukur momentin e ndërrimit të viteve. Por nuk mund të mos përmendim trinomin Pluton-Jupiter-Saturn, i cili nuk ju favorizon dhe do t’ju bëjë të dyshoni për projektet e reja që po mendonit t’i vinit në zbatim. Jepini vetes forca, sepse do të jeni të tretët në klasifikim.

Virgjëresha Ju pret një javë shumë e mbarë. Me siguri që do të keni njohje të reja, të cilat do të rezultojnë shumë të dobishme në sferën profesionale në ditët në vazhdim. Edhe në aspektin personal gjithçka do të ecë më së miri, pasi Diellin dhe Mërkurin do t’i keni në shenjë. Do ta keni shumë të lehtë t’i lini përshtypje të mira personit që do të jetë i interesuar t’ju takojë. Jo më kot do të mbani vendin e parë.

Peshorja Gjithçka do të jetë më së shumti e përqendruar te paratë gjatë këtyre ditëve, për ju që i përkisni shenjës së Peshores. Një person i dashur juaji do të ketë nevojë për mbështetje ekonomike, që me siguri nuk do t’ia kurseni. Kështu do të dalë dhe një herë në pah bujaria e madhe që ju karakterizon. Në këtë javë të ndërrimit të viteve shenja juaj do të renditet në vend të gjashtë.

Akrepi Ju pret një javë e ngarkuar. Çështjet praktike dhe profesionale do t’ju zënë pjesën më të madhe të kohës dhe do të kërkojnë përkushtim të madh nga ana juaj. Ana materiale do të jetë ajo që do t’ju interesojë më së shumti. Prandaj, në këtë periudhë të ndërrimit të viteve çështjet e dashurisë do të kalojnë në plan të dytë. Këtë herë ju takon vendi i dhjetë.

Shigjetari Kjo do të jetë një javë shumë e mbarë për të lindurit në shenjën e Shigjetarit. Të hënën dhe të martën nuk pritet që të ketë ndonjë të re. Situata do të ndryshojë nga e mërkura e në vazhdim. Do të jeni më romantikë se kurrë dhe do t’i përkushtoheni partnerit, i cili do t’ju vlerësojë shumë dhe do të ndihet mirë në praninë tuaj. Për ketë herë ju takon vendi i dytë.

Bricjapi Me siguri që këtë javë do të jeni të papërmbajtshëm. Pjatancat e shijshme që do të shërbehen në këto ditë të ndërrimit të viteve do të jenë një tundim i madh për ju. Nuk është çudi që, pasi të shijoni gjithçka që do t’ju dalë përpara, të ndiheni të rënduar. Yjet ju këshillojnë që të bëni kujdes, sepse këtë radhë do të renditeni në vend të nëntë.

Ujori Hëna e kthyer nga shenja juaj do të ndikojë që java të nisë e mbarë. Më pas, me kalimin e saj në prapavijë aty nga e mërkura dhe e enjtja, do të bini në pesimizëm dhe kjo gjë do të vazhdojë deri në fund të javës. Edhe pse nuk do të jeni më të favorizuarit e zodiakut, pasi hëpërhë jeni në vend të tetë, mundohuni të ruani përqendrimin, në mënyrë që ta përballoni sa më mirë këtë vit ndryshimesh që ju pret.

Peshqit Kjo javë e ndërrimit të viteve nuk do t’ju gjejë në formë fort të mirë. Do të ndiheni në humor të rënë dhe do t’ju mungojë dëshira për t’u përfshirë në atmosferën festive. Do të parapëlqeni që t’u përkushtoheni sa më gjatë pasioneve tuaja, duke mos treguar vëmendjen e duhur ndaj nevojave të partnerit dhe planeve të tij në këtë fund viti. Bëni durim, pasi këtë herë jeni në vend të fundit.