Në zgjedhjet parlamentare të së dielës Social-Demokratët e opozitës në Rumani shënuan fitore kundrejt Partisë qeverisëse Liberale Kombëtare. Social-Demokratët fituan 29.8 për qind në Dhomën e Deputetëve dhe 30.2 për qind në Senat. Ndërsa partia Liberale Kombëtare fitoi 25.1 për qind në Dhomën e Deputetëve dhe 25.5 për qind në Senat.

Sipas REL , Social-Demokratët kanë pak shanse të marrin udhëheqjen e qeverisë, pasi partia e kryeministrit Ludovic Orban ka më shumë aleatë të mundshëm. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rekord e ulët me shifrën prej 33 për qind. Rumania është një nga vendet më të varfra në Bashkimin Evropian, ku qytetarët e saj janë zhvendosur nga vendi i tyre në vitet e fundit për një jetesë më të mirë.