Njerëzimi po përballet me një numër të madh të viruseve të reja dhe potencialisht fatale që vijnë nga pyjet tropikale afrikane, pohon profesori Jean-Jacques Mujembe Tamfum, i cili në vitin 1976 ishte në ekipin e mjekëve që zbuluan virusin Ebola. Mujembe thotë se patogjenë të rinj do të shfaqen dhe se është një kërcënim për njerëzimin. Si një shkencëtar i ri, ai mori mostrat e para të gjakut nga pacientët me sëmundjen e atëhershme misterioze që çoi në gjakderdhje dhe vdekje të rreth 88 për qind të pacientëve dhe 80 për qind të stafit të spitalit në misionin në Yambuku, kur Ebola u zbulua për herë të parë.
Edhe sot, bota duhet të mbështetet te shkencëtarët afrikanë në Kongo dhe gjetkë si roje që do të paralajmërojnë për sëmundje të reja. Mujembe për CNN paralajmëron për shumë sëmundje zoonotike, sëmundje që transmetohen nga kafshët te njerëzit, të tilla si ethet e verdha, format e ndryshme të gripit, tërbimit, brucelozës dhe sëmundjes Lyme. Brejtësit ose insektet shpesh janë bartës të sëmundjeve nga kafshët te njerëzit. HIV, për shembull, u shfaq në një specie të shimpanzës dhe SARS, MERS dhe COVID-19 u kaluan njerëzve nga “rezervuarët” e panjohur në mbretërinë e kafshëve.
Mujembe beson se disa pandemi në të ardhmen mund të jenë edhe më të këqija se koronavirusi. Sipas hulumtimit nga Mark Woolhouse, një profesor i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Universitetin e Edinburgut, tri deri në katër viruse të reja zbulohen çdo vit, dhe shumica e tyre vijnë nga kafshët. Ekspertët besojnë se numri në rritje i viruseve të reja është kryesisht rezultat i shkatërrimit të mjedisit dhe tregtisë së kafshëve të egra. Ndërsa habitatet e tyre natyrore zhduken, kafshë të tilla si minjtë, lakuriqët e natës dhe insektet mbijetojnë atje ku kafshët më të mëdha shkatërrohen. Kafshët më të vogla mund të jetojnë me njerëzit dhe dyshohet se ato transmetojnë sëmundje të reja te njerëzit.
Kështu, shkencëtarët kanë lidhur epidemitë e kaluara të Ebola me pushtimet njerëzore në pyjet e shiut. Në një studim nga viti 2017, studiuesit përcaktuan se 25 nga 27 epidemitë e Ebola që shpërthyen përgjatë kufijve të pyjeve të shiut në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore nga 2001-2014 filluan në vendet e shpyllëzimeve të mëdha dy vjet më parë. Sot, Mujembe drejton Institutin Kombëtar Kongolez për Kërkime Biomjekësore në Kinshasa, i cili është pjesë e sistemit global të paralajmërimit të hershëm për sëmundjet e reja. Nëse patogjeni është shfaqur në Afrikë, i duhet kohë për t’u përhapur në të gjithë botën, thotë ai, duke shpjeguar se nëse virusi zbulohet me kohë, Evropa dhe pjesa tjetër e botës do të kenë kohë për të zhvilluar strategji të reja për të luftuar viruset e reja.
Shkencëtarët besojnë se sëmundjet zoonotike si Ebola dhe koronavirusi përhapen te njerëzit gjatë therjes së kafshëve të egra, pasi një sëmundje e panjohur mund të fshihet në secilën prej këtyre kafshëve.